Sociale

Tragjedia shqiptare në Itali që zbulon plagët e një sistemi

Shkruar nga Liberale

Tragjedia shqiptare në Itali që zbulon plagët e një sistemi

Nga Alba Kepi

“Po, e bëra. E vrava për të shpëtuar fëmijët.” Ky pretendim – absurd dhe i dhimbshëm – pasqyron një nga narrativat më të rrezikshme që përdoren për të justifikuar feminicidin.

Feminicidi nuk është kurrë një krim pasioni, por një krim shoqëror, rezultat i një kulture ende të zhytur në pabarazi gjinore. Kur viktima është një grua e huaj, rreziqet rriten dhe mbrojtja bëhet edhe më e vështirë.

Më 14 qershor 2025, qyteti i qetë i Tolentinos në provincën e Macerata, u trondit nga një ngjarje makabre: Gentiana Hudhra, 45 vjeç, nënë e dy fëmijëve dhe emigrante shqiptare, u vra me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç. Krimi ndodhi në mes të ditës, në qendër të qytetit, përpara dëshmitarëve të shumtë.

E goditi shumë herë e nuk ngopej, sa ndërsa ishte e mbulur me gjak e po jepte shpirt, i shkelmonte trupin.

Pas vrasjes, autori nuk u përpoq të largohej. Ai u arrestua në vendngjarje dhe deklaroi:

“Po, e bëra. E vrava për të shpëtuar fëmijët.”

Ky pretendim – absurd dhe i dhimbshëm – pasqyron një nga narrativat më të rrezikshme që përdoren për të justifikuar dhunën ndaj grave: ideja se kontrolli dhe në fund edhe vrasja e gruas janë në “emër të familjes” apo “mbrojtjes së fëmijëve”.

Rasti i Gentiana Hudhra nuk është një tragjedi e izoluar, por pasqyra e një fenomeni social dhe institucional të dështuar. Gratë emigrante kanë nevojë për më shumë mbrojtje, përkrahje dhe për një shtet që nuk injoron sinjalet e dhunës. Femicidi është një çështje shoqërore që kërkon përgjigje të bashkërenduara: edukim, ndërhyrje ligjore dhe përfshirje sociale për të parandaluar humbje të tjera të jetës.

Gentiana dhe Nikollaq Hudhra kishin qenë prej mbi 3 vitesh të ndarë. Pavarësisht se ishin të dy emigrantë nga Shqipëria dhe prindër të dy fëmijëve të rritur, burri vazhdonte ta ndiqte dhe ta kontrollonte jetën e saj. Ajo përpiqej të ndërtonte një jetë të pavarur në Itali, por nuk kishte marrë asnjë masë mbrojtjeje efektive nga institucionet.

Gratë emigrante: Viktima të dyfishta

Gratë emigrante, si Gentiana Hudhra, shpesh janë në një pozicion të dyfishtë të cenueshmërisë:

 • Varësi ekonomike dhe ligjore nga partneri (për lejen e qëndrimit ose strehimin).

 • Izolim shoqëror, mungesë familjeje dhe mbështetjeje në vendin pritës.

 • Vështirësi gjuhësore dhe mungesë njohurish për të drejtat dhe shërbimet e disponueshme.

 • Presione kulturore dhe ndonjëherë turp për të denoncuar dhunën.

Shpesh, këto gra nuk e denoncojnë dhunën, ose kur e bëjnë, nuk përkrahen në mënyrë të duhur nga institucionet.

Ky rast është një shembull klasik i femicidit të paralajmëruar, ku sistemi dështoi të ndërhynte për ta shpëtuar jetën e një gruaje që kishte dhënë shenja qartë rreziku.

 • Rreth 40% e grave të vrara në Itali janë emigrante ose me prejardhje të huaj.

 • Gratë shqiptare përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të emigranteve në Itali dhe shpesh përballen me pengesa të integrimit social dhe ekonomik.

 • Pothuajse gjysma e grave të huaja punojnë në sektorë joformalë ose si përkujdesëse, shpesh në izolim të thellë.

Në vitin 2024, 109 gra u vranë në Itali, 59 prej tyre nga duart e partnerëve ose ish-partnerëve. Femicidi ndodh kryesisht në sferën familjare dhe gjatë fazave kritike si ndarja ose kërkesa e gruas për autonomi.

Rajonet më të prekura janë Lombardia, Lacio dhe Siçilia. Shumica e viktimave ishin midis 40 dhe 55 vjeç, dhe shumë prej tyre kishin kërkuar tashmë ndihmë.

Shteti dhe mbrojtja institucionale

Italia ka ndërmarrë disa hapa për të luftuar dhunën ndaj grave:

* Ligji 119/2013, i cili prezantoi masa më të ashpra kundër dhunës në familje.

* Kodi i Kuq (2019), i cili përshpejton procedurat në rast të një ankese për dhunë.

* Plani Strategjik Kombëtar 2021–2023, i fokusuar në parandalimin, mbrojtjen dhe mbështetjen ekonomike për viktimat.

 • Qendra për ndihmë psikologjike dhe juridike, dhe numra të gjelbër për denoncime anonime.

 • Fushata sensibilizuese në shkolla dhe media.

Megjithatë, praktikisht, sistemi shpesh dështoi të mbrojë viktimat si Gentiana Hudhra:

 • Nuk kishte masa mbrojtjeje efektive pas ndarjes.

 • Autori i krimit nuk kishte një ndalim qasjeje, pavarësisht sjelljes së dhunshme në të kaluarën.

 • Nuk kishte ndërhyrje parandaluese, edhe pse situata ishte e njohur.

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH