Tashmë që shkolla filloi, a janë të përgatitur emocionalisht fëmijët për vitin e ri shkollor? A keni vënë re që fëmija juaj është më i tërhequr ose nervoz pas shkollës?
Ndonjëherë, fëmijët nuk e tregojnë hapur stresin e tyre, por ka shenja që prindërit duhet të dinë t'i dallojnë. Stresi i shkollës mund të ndikojë jo vetëm në performancën e tyre akademike, por edhe në shëndetin emocional dhe fizik.
Shenjat e heshtura të stresit që fëmijët i fshehin:
- Mungesa e dëshirës për të folur për ditën në shkollë
- Ndryshime të papritura në sjellje si irritim ose lodhje e vazhdueshme
- Ankesa për dhimbje të kokës ose të barkut, që shpesh lidhen me ankthin
- Ndryshimet fizike që mund të jenë shenjë e stresit
- Pagjumësia ose vështirësia për të fjetur
- Humbje ose shtim i papritur në peshë
- Lodhje e vazhdueshme, edhe pas periudhave të pushimit
- Ulje e performancës akademike
- Ndryshim i sjelljes në klasë
- Rënia e papritur e rezultateve të notave ose mospërqendrimi në mësime
- Frika e tepruar nga provimet dhe detyrat
- Tërheqja nga aktivitetet sociale dhe mospjesëmarrja në aktivitete jashtëshkollore
Pse fëmijët e fshehin stresin nga prindërit?
Ka disa arsye pse fëmijët mund ta fshehin stresin nga prindërit dhe ato lidhen me:
- Frika nga dënimi ose presioni për të qenë të suksesshëm
- Moskuptimi i vetë emocioneve të tyre ose paaftësia për t'i shprehur
- Pasiguria që i bën të mendojnë se duhet t’i zgjidhin vetë problemet
Si ta ndihmoni fëmijën të flasë për stresin?
Komunikimi i hapur, por pa presion: Krijoni një atmosferë ku fëmija juaj ndihet i sigurt të flasë.
Pyesni me takt: Në vend që të bëni pyetje direkte, pyetni se si ndihet në lidhje me aktivitete të caktuara në shkollë.
Vëzhgoni rutinën e tyre: Ndryshimet në zakonet e përditshme janë tregues të rëndësishëm.
Duke u përqendruar te komunikimi i hapur dhe vëzhgimi i vazhdueshëm i rutinës, prindërit mund të identifikojnë herët shenjat e stresit dhe t’i ofrojnë fëmijës mbështetjen e nevojshme.