![SPECIALE-Shqipëria “parakalon” SHBA-në për mbylljen e](https://cdnimpuls.com/liberale.al/media3/-1000-0-1734803374xtiktok-937.jpg)
Shqipëria ka “parakaluar” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka vendosur të bllokojë aksesin në TikTok në të gjithë vendin, të paktën për një vit.
Ndërsa pritet data 19 janar për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në anën tjetër të Atlantikut dhe nëse aplikacioni në pronësi të kompanisë kineze “ByteDance” do të ndalohet vërtet për 170 milionë përdorues amerikanë për arsye sigurie kombëtare, qeveria shqiptare njofton të njëjtën gjë me motivime të ndryshme.
“Ai na merr peng fëmijët”, deklaron kryeministri Edi Rama, duke komentuar paketën e masave, përfshirë edhe këtë, që synon të forcojë sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Nëse Shqipëria vendos në janar për bllokimin e plotë të këtij aplikacioni, metodat janë të shumta, por secila prej tyre ka një formë si mund të tejkalohet.
E para që mund të bëhet është të hiqet nga Store (App Store dhe Play Store) si app që mund të shkarkohet për account që janë me lokacion nga Shqipëria. Duke qenë se Tik Tok ka funksionalitete të plota vetëm nge aplikacioni dhe jo nga browser (website), kjo do e bënte përdorimin të vështirë. Për ata që do duan ta shkarkojnë pas heqjes nga Store, do të duhet që të ndryshojnë të dhënat për account që kanë në App Store dhe Play Store, duke zgjdhur një shtet tjetër. Ky ndryshim në shumicën e rasteve nuk është i vështirë të bëhet, megjithatë ka disa kufizime.
E dyta është duke detyruar kompanitë e ISP që ofrojnë lidhjen me internetin në Shqipëri të bëjnë bllokimin e aksesit të Tik Tok. Në këtë rast kompanitë ISP implementojnë disa forma bllokimi, siç ndodhi me websitet e basteve sportive. Forma më e thjeshtë është përmes DNS (sistemi i përkthimit të emrave). Këtë formë kanë përdorur në shumicën e rasteve, por në fakt është dhe forma më e thjeshtë për t’u tejkaluar. Mjafton që përdoruesit të ndryshojnë adresën e DNS serverit në pajsijet e tyre, nga ajo që i jep automatikisht ISP në një adresë DNS serveri ndërkombëtare, si për shembull 8.8.8.8 (DNS e Google) apo 1.1.1.1 (DNS e Cloudflare).
Forma tjetër më e avancuar që mund të zbatojnë kompanitë ISP është bllokimi në shtresa të tjera komunikimi, siç është në bazë të adresës IP që kërkohet të aksesohet apo deri dhe në nivel aplikacioni (Layer 7). Kjo formë kërkon më shumë resurse nga kompanitë në sistemet e tyre të sigurisë (firewall, proxy etj.) prandaj kompanitë ISP nuk preferojnë ta zbatojnë këtë formë. Megjithatë edhe në këtë rast, përdoruesi e ka të lehtë ta tejkalojë bllokimin përmes teknologjive VPN që sot janë shumë të përhapura dhe që lejojnë që ky përdorues të aksesojë virtualisht këtë aplikacion sikur të ishte në një lokacion tjetër.
I vetmi vend deri më sot që ka ndaluar plotësisht TikTok për të gjithë qytetarët është India.
Bllokimi daton në vitin 2020 - përveç rrjetit social, 58 aplikacione të tjera kineze u ndaluan, përfshirë WeChat dhe Weibo - dhe këtu arsyeja ishte siguria kombëtare.
Lajmi ishte sensacional: në atë kohë, TikTok kishte 200 milionë përdorues aktivë mujorë në Indi, duke e bërë atë komunitetin më të madh në botë.
Në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, janë mbi 170 milionë dhe këtu pritet të shihet se çfarë do të ndodhë më 19 janar, kur të mbarojnë afatet për zbatimin e ligjit të nënshkruar nga ish-presidenti tashmë Joe Biden prillin e kaluar. Ligji ndalon TikTok nëse nuk i shitet një kompanie amerikane.
Ankimi i kompanisë në Gjykatën e Apelit rezultoi i pasuksesshëm – u refuzua – ndërkohë që pritet të vendimi i Gjykatës së Lartë, shansi i fundit i mundshëm për të shfuqizuar apo modifikuar ligjin.
Ekziston një opsion tjetër: Trump mund të vendosë të ndërhyjë. Pas një takimi me CEO-n, Shou Zi Chew, ai deklaroi se rrjeti social “ka një vend të ngrohtë” në zemrën e tij, duke lënë të kuptohet se mund të ketë ndryshuar mendje për rrezikun për sigurinë kombëtare të platformës.
Shumë vende, përfshirë vetë Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur të ndalojnë instalimin e aplikacionit në telefonat e kompanive të punonjësve publikë.
Këto përfshijnë Francën, Britaninë e Madhe, Zelandën e Re dhe Kanadanë, e rekomanduar kjo edhe nga Bashkimi Evropian.
Si në rastin e Shqipërisë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, çështja mbetet e hapur se si të zbatohet në të vërtetë ndalimi në nivel teknik.
Mënyra më e thjeshtë do të ishte urdhri për “Apple” dhe “Google” që të heqin aplikacionin nga dyqanet e tyre përkatëse.
Kjo do ta bënte të pamundur shkarkimin e TikTok nga çdo pajisje, por ata që tashmë e kanë të instaluar aplikacionin në telefonin e tyre, mund të vazhdojnë ta përdorin atë (por nuk mund ta përditësojnë më).
Megjithatë, ka disa mënyra për të anashkaluar këtë lloj bllokimi. Për ta bërë atë vërtet efektiv, “Apple” dhe “Google” duhet t'u dërgojnë një përditësim telefonave inteligjentë me sistemet e tyre operative përkatëse që pengon funksionimin e aplikacionit.
Në Indi, për shembull, ndalimi mund të anashkalohet ende sot, duke përdorur një “VPN”, një rrjet privat virtual./ Përgatiti Liberale.al