Sot, më 26 nëntor shënohen pesë vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, ku humbën jetën 51 qytetarë dhe u plagosën mbi 1000 të tjerë, pasojat që ai ka lënë pas, ende ndjehen në shumë familje.
Procesi i rindërtimit nuk konsiderohet i mbyllur, pasi punimet vijojnë në disa zona të vendit dhe me dy lagje më të mëdha në kryeqytet.
Ndërkohë shumë familje vijojnë të trajtohen me bonusin e qirasë.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka ndarë disa shifra lidhur me rezultatet e rindërtimit.
E më konkretisht deri më tani janë dorëzuar 5524 banesa individuale, 6139 apartamente të reja, ndërsa janë rikonstruktuar 167 shkolla në zonat e prekura.
Thumana është një lagje e re e rindërtuar, së bashku me lagjet në Vorë dhe dy në Tiranë, rruga “5 Maji” dhe “Kombinat”.
Rindërtimi është procesi më i kushtueshëm i cili është përballuar nga buxheti i shtetit edhe pse në konferencën e donatorëve në shkurt të 2020 u arrit të sigurohej një fond për 1.1 miliard eurosh, nga rreth 1 miliard dëm të përllogaritur.
Por pandemia më pas bëri që buxheti të mbajë barrën kryesore të këtij procesi, ndërsa me fondet të BE janë rikonstruktuar objektet arsimore.
Duke ju referuar të dhënave nga buxheti i shtetit, procesi i rindërtimit duket se do të mbarojë në 2026, kjo pasi nuk ka parashikim për shpenzime fondesh në vitin 2027.
Edhe për dy vitet e ardhshme janë 5 miliard lekë të parashikuara në buxhet për tu shpenzuar për rindërtimin.
Një sërë bashkish u prekën nga dëmet e tërmetit shkatërrues, siç janë Tirana, Durrësi, Vora, Shijaku, Kurbin, Rrogozhina.