Sociale

Sindroma që të deh pa pirë alkool

Shkruar nga Liberale
Sindroma që të deh pa pirë alkool

Një gjykatë në Belgjikë ka liruar një person nga akuza pasi ishte gjobitur disa herë se kishte drejtuar makinën në gjendje të dehur, me arsyen se nuk ishte në dijeni se ishte prekur nga “sindroma e alkoolit të prodhuar në organizëm”, një gjendje e rrallë dhe ende pak e njohur që shkakton tek trupi prodhimin e një sasie të konsiderueshme alkooli gjatë procesit të tretjes.

Ai u fal afërsisht pesë vjet pas gjobës së parë për drejtim automjeti në nivel të lartë të alkoolit në gjak, por rasti në fjalë, tregon edhe sa e vështirë është të diagnostikohet kjo sëmundje. Fakti se punonte në një fabrikë birre, shtoi akoma edhe më shumë dyshimet tek policia.

40-vjeçari ishte ndaluar për herë të parë në vitin 2019 gjatë një kontrolli të rastësishëm. Policia i kishte kërkuar t’i nënshtrohej një testi alkooli dhe niveli i tij në gjak ishte më i lartë se 0,5 gram për litër të lejuar në Belgjikë. Më pas, ai u gjobit për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, megjithëse deklaroi se nuk mund ta shpjegonte se si kishte ndodhur, pasi më herët nuk kishte konsumuar asgjë alkoolike.

Në mesin e muajve prill dhe maj të vitit 2022, i nëjti person u ndalua edhe dy herë të tjera, gjithmonë për shkak të kontrolleve në rrugë. Testi i alkoolit në prill e kishte nxjerrë me një vlerë katër herë më të lartë se kufiri i lejuar, por ishte shprehur se nuk kishte konsumuar fare alkool atë ditë. Por, një ditë më parë, kishte konsumuar dy birra të fermentuara, alkooli i të cilave në kushte normale, duhet të ishte metabolizuar. Në kontrollin e majit, niveli i tij i alkoolit në gjak ishte afërsisht trefishi i kufirit ligjor.

Meqenëse në të dyja rastet i ishte pezulluar leja e drejtimit për dy javë për shkak të konsumimit të alkoolit, por që për hir të së vërtetës s’e kishte përdorur atë, ai u detyrua për të shkuar tek mjeku për të bërë disa analiza dhe për të kuptuar se çfarë po ndodhte me organizmin e tij, por gjatë diagnostikimit, u kuptua se personi në fjalë vuante nga sindroma e vetë-krijimit të alkoolit ose nga sindroma e fermentimit të zorrëve. Kjo gjendje u konfirmua nga dy mjekë të cilët kryen analiza në mënyrë të pavarur, duke kryer disa teste. Një nga këto analiza konsistonte në marrjen e ushqimeve të pasura me sheqerna për një ditë, me qëllim vlerësimin e aftësive të trupit për t’i shndërruar karbohidratet në alkool. Analizat dhanë rezultate pozitive dhe më pas, një mjek i tretë, i caktuar nga gjykata, arriti në të njëjtin përfundim.

Gjyqtari që u mor me çështjen, duke u ballafaquar me rezultatin e analizave shkencore, shpalli pafajësi për 40-vjeçarin, me arsyetimin se ai nuk ishte në dijeni të sëmundjes dhe duke mos pas dijeni për të, e kishte krejtësisht të pamundur për të marrë masa paraprake. Megjithatë, i njëjti person ka të drejtën për ta drejtuar automjetin e tij, por duhet t’i nënshtrohet kufizimeve të alkoolit të përcaktuara nga kodi i autostradës dhe në rast se rezulton përsëri pozitiv në testin e alkoolit, duhet të ndëshkohet, pasi kjo tregon se nuk ka ndjekur udhëzimet e mjekëve për trajtimin e sëmundjes.

Mjekësia vazhdon t’i ketë ende të paqarta arsyet që çojnë një person në krijimin e sindromës së prodhimit të birrës, kjo edhe për shkak se kjo sëmundje është shumë e rrallë dhe ndoshta për këtë arsye është akoma edhe më e vështirë për të diagnostikuar individë me këtë sëmundje që mund të studjoheshin për të kuptuar më mirë shkakun e kësaj sindrome.

Prodhimi anormal i alkoolit (etanol, atë që ne e quajmë joformalisht “alkool ushqimor”) ndodh përmes fermentimit në sistemin tretës të karbohidrateve të gëlltitura përmes ushqyerjes./ Përgatiti Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH