Ekonomi

SHIFRA E DITËS: Pesë pyetje, dy pa përgjigje: Çfarë do të bëhet me Shqipërinë?!

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Pesë pyetje, dy pa përgjigje: Çfarë

Sipas një projeksioni të zymtë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), popullsia e Shqipërisë në vitin 2.100 do të jetë 1.1 milion banorë. Studimi nuk parashikon nëse banorët që do t’i mbeten Shqipërisë do të jenë shqiptarë apo të huaj. Dhe nëse i referohemi zhvillimeve të fundit si dhe mungesës së vazhdueshme të një vizioni për të ndryshuar projeksionet e zymta të studimeve ndërkombëtare, popullsia e Shqipërisë në 50 vitet e ardhshme do të rikthehet në nivelin që ishte mes dy luftërave botërore, por me një ndryshim: nga rreth 1 milion banorë që do të mbeten, mund të jenë të huajt shumicë për herë të parë në historinë e kombit tonë.

Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë, ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët, nëse normat e lindshmërisë do të vijojnë rënien edhe më shumë, siç edhe pritet të ndodhë, në vitet e ardhshme?

Të dhënat vjetore të vitit 2023 publikuar nga INSTAT tregojnë se në të gjithë vendin lindën 22,210 foshnja, me një rënie vjetore 10 % apo lindën rreth 2500 foshnja më pak se një vit më parë. Kjo është rënia më e fortë e lindshmërisë që është regjistruar në 30 vitet e fundit. Qarqet me lindshmërinë më të ulët rezultuan Gjirokastra, Kukësi dhe Berati. Gjirokastra, nga shifrat zyrtare, është qarku me numrin më të ulët të lindjeve për 2023: 380 të tilla, ndjekur nga Kukësi me 667 lindje dhe Berati me 818.

Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë nëse emigracioni nuk do të frenohet sikundër nuk është ndalur në këto 30 vite, përkundrazi, do të vazhdojë, të paktën me të njëjtat ritme?

Sipas INSTAT, në 1 janar të vitit 2023, popullsia e vendit tonë ishte 2,761.785 banorë. Do të jetë Censusi i fundit, rezultatet e të cilit publikohen në qershor ai që do të japë një panoramë më të qartë. Sipas të dhënave më të fundit popullsia u zvogëlua në 1,1 % në krahasim më popullsinë e vitit 1 janar 2022. Nga të dhënat, në vitin 2022 u larguan nga vendi 46,460 rezidentë, ose 10 % më shumë se në vitin 2021. Po sipas INSTAT, çdo vit largohen mesatarisht nga vendi rreth 42,000 rezidentë shqiptarë, shifër kjo alarmante nëse marrin në konsideratë numrin e ulët të popullsisë, rreth 600.000 mijë pret të cilëve janë në moshë pensioni.   

Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë nëse nga nevoja për fuqi punëtore tregu i punës do të gjejë ose nuk do të mund të gjejë karar as me bangladeshas, indianë, pakistanezë, ose nigerianë?

Por punonjësit e huaj sapo mbërrijnë në shumë raste largohen, edhe pse u ofrohej pagë nga 600 deri në 800 euro/muaj, akomodim dhe ushqim. Edhe pse mbërritja e tyre shoqërohet me kosto të tjera shtesë, vendi nuk po e gjen dot "formulën" për mbajtjen e punëtorëve më të kualifikuar. Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) 2022-2023 bëjnë të ditur se pavarësisht rritjes, numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje pune në vend është i papërfillshëm në raport me tregun dhe kërkesat e tij. Vlerësohet se janë rreth 50 mijë kërkesa urgjente nga sektori privat, ndërkohë paradoksalisht janë të regjistruar 70 mijë si të papunë në zyrat e punësimit, me shumë mundësi një pjesë e tyre për të përfituar nga kontributet sociale.  

Në vitin 2023, shtetasit e pajisur me leje pune në total arritën në 9,825, me një rritje prej 18.3% në raport me vitin e mëparshëm. Për krahasim, të punësuarit në vend në fund të vitit 2023, sipas INSTAT, ishin 1.32 milionë. Duke hequr administratën shtetërore, prej 181 mijë personash, gjithsej janë 1.14 milionë të punësuar në sektorin privat dhe atë bujqësor. Si rrjedhojë, të huajt në 2023 përbënin vetëm 0.86% të totalit të atyre që punojnë në sektorin privat apo në bujqësi.

Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë nëse studiot mediatike do të vazhdojnë të arratisen nga temat me interes publik, oborret akademike do të arratisen nga studimi i problemeve reale, dhe politik-bërësit do të vazhdojnë të korrin suksese imagjinare? 

Çfarë do të ndodhë me Shqipërinë nëse askush nuk do t’ja dijë se çfarë do të ndodhë, në një të ardhme që, sa më tepër të mos e çajë kokën askush, aq më e afërt do të jetë katastrofa?

Pyetje pa përgjije!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH