Sociale

Sa shumë stres dhe sa pak psikologë në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Sa shumë stres dhe sa pak psikologë në Shqipëri

Ndërkohë që është në rritje numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimet e shëndetit mendor, numri i personelit dhe struktura janë po ato. Problemet e aksesimit dhe cilësisë së shërbimeve psikiatrike, përfshirë mungesën e trajnimeve dhe mungesave në staf, janë disa prej sfidave me të cilat përballet sot sistemi shëndetësor.

Prej më shumë se 3 orësh pacientë në poliklinikën numër 3 të Tiranës mbajnë rradhë për t’u takuar me mjekun psikiatër. Ndonëse fillimviti, (5 janar) pacientët ndiejnë të nevojshëm konsultimin me psikiatrin.

“Kam ardhur këtu që në orën 12 dhe nuk lëviz pa u takuar me mjekun”, – thotë një i moshur përbri të cilit, në pritje, është dhe Luljana, një vajzë në mes të tridhjetave që prej më shumë se 8 vitesh bashkëjeton me depresionin dhe krizat e ankthit.

“Gjithçka nisi në moshën 22-vjeçare. Kaloja netëve duke menduar për gjithçka që më ndodhte në ato momente dhe papritur nuk mbushesha dot me frymë. Fillimisht e menaxhoja vetë situatën me ushtrime frymëmarrjeje, por më pas u bë e pamundur”,- thotë Luljana e cila tregon se problemi më i madh për të ishte njohja me një psikolog. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vitin 2017 në të gjithë vendin numëroheshin 38 zyra ku ofrohej shërbimi i psikologut ndërkohë për vitin 2023 numërohen 247 zyra.

“Në konsultën e parë psikologu më pyeti: çfarë kërkon nga unë? Unë thjesht doja ndihmë dhe nuk mund të shprehesha. Është situatë e vështirë dhe problemi qëndron edhe tek mos pranimi i faktit që po kalon në depresion,”- thotë ajo.

Tirana, dyfishohet popullsia, por jo strukturat shëndetësore

Arjana Rreli, mjeke psikiatre në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor pranë poliklinikës numër 3 thotë për “Sinjalizo” se përveç rritjes së numrit të popullisë të Tiranës ngjarjet që janë shënuar vitet e fundit, si tërmeti i 26 nëntorit në 2019 dhe izolimi në shtëpi gjatë pandemisë të Coronavirus-it, kanë shtuar fluksin e pacientëve që i drejtohen mjekut psikiatër për ndihmë, ndërkohë që numri i strukturave shtetërore ku mjekët ofrojnë shërbimet ka mbetur i njëjtë.

“Duke qenë se Tirana, kryeqyteti është metropol, është një qytet që zgjerohet çdo ditë edhe që shtohet me banorë, strukturat tona kanë mbetur tre, si në Tiranën që ishte me 400 mijë banorë, si në Tiranën që është sot mbi 1 milionë. Kështu që, rritja e numrit të banorëve presupozon që dhe probabiliteti për të pasur në këtë popullatë edhe probleme të shëndetit mendor është më i lartë. Fluksi tek ne është rritur nga viti në vit”, – thotë Rreli duke shtuar se pacientë që kanë marrë shërbimin pranë kësaj Qendre Komunitare të Shëndetit Mendor janë edhe banorët e Gërdecit, (ngjare e vitit 2008) shëndeti mendor i të cilëve është shoqëruar nga pasojat afatgjata të stresit post-traumatik.

Aktualisht në këtë qendër ofrojnë shërbimin 3 mjekë psikiatër për të rritur dhe 1 për fëmijët.

“Përderisa në këtë qytet janë 3 Qendra Komunitare të Shëndetit mendor padiskutim që stafet janë të plotësuara si shërbime, por përsa i përket fluksit të pacientëve që duhet t’i përballin shërbimet janë problem, janë të tejkaluara”,- thotë Rreli duke theksuar se për të pasur eficencë dhe për të kuptuar më shumë rreth gjendjes së pacientit, psikiatri, duhet të ketë një numë të kufizuar të rasteve që trajton në një ditë.

Sipas të dhënave zyrtare nga kuotat e mbuluara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të paktën  8 mjekë ndjekin specializimin në psikiatrinë për të rritur dhe 4 për psikiatrinë për fëmijë dhe adoleshentë. Më 2019 në të gjitha spitalet shtetërore punonin 25 mjekë psikiatër.

“Mjeku duhet të ketë një numër të kufizuar të vizitave për të qenë sa më efektiv, që të marrë vendimet më të mira, që të nxjerrë përfundimet më të mira për rastin, por gjithashtu edhe për personelin tjetër: psikologun, punonjësin social, terapistin infermjerin,”– thotë Rreli duke shtuar,- “kur studioja në Itali pisikatri nuk trajtonte më shumë se 5 deri në 6 raste në ditë. Këtu trajtoj mesatarish 20-25 pacientë në një ditë.

Shtimi i rasteve të pacientëve me çrregullime në shëndetin mendor është reflektuar edhe në spitalet psikiatrike, në të cilat numri i ditëve të trajtimit të pacientëve është ulur.

“Janë ulur ndjeshëm ditët e shtrimit në spital dhe të duhet se s’bën që ta rikuperosh  sa më shpejt dhe disi, jo deri në fund gjendjen e pacientit  që të lirosh shtratin në mënyrë që të vijë pacienti i rradhës”, – thotë mjekia Arjana Rreli.

Ndërkohë, burime nga shërbimi i psikiatrisë “Xhevit Gjata” në Tiranë bëjnë me dije se numri i shtretërve në godinë mbetet e kufizuar nga 98 deri në 100 duke mos lejuar shtrimin dhe trajtimin e çdo pacienti që u drejtohet spitaleve.

“Ka pacientë të cilët kanë nevojë për t’u shtruar në mënyrë  që të marrin një trajtim, por është një numër i kufizuar pacientesh që pranohen. Nuk funksionojnë  si duhet shërbimet sociale. Ka shumë pacientë të cilët nuk duhet të shtrohen, por familjarët i kanë braktisur. Nëse shërbimet sociale do kujdeseshin për ta, atëherë do litoheshin më shumë vende për persona të cilët kanë vërtetë nevojë,”- thotë burimi për “Sinjalizo”.

“Ata janë pacientë të cilët ndikohen shumë nga ambienti i jashtëm, nga faktorët ambiental, por në godinë infrastruktura lë për të dëshiruar. Tualetet nuk kanë as kushtet më minimale dhe aromat nuk janë aspak të këndshme,”- thotë burimi duke shtuar,-“raporti midis mjekëve dhe pacientëve është 2 mjekë për 20 pacientë,”

Valbona Treska, drejtoreshë pranë Urdhrit të Psikologut thotë për “Sinjalizo” se mosmarrja e shërbimit të plotë mbetet problematike tek personat me probleme të shëndetit mendor.

“Padyshim që nuk e kemi ende të fortë zinxhirin e shërbimit që i jepet individit. I japim shërbime mbështetëse individit, por janë të segmentizuara, nuk i jepet shërbimi i plotë…”

Problematikat në aksesimin dhe cilësinë e shërbimeve për shëndetin mendor

Aksesi i shërbimeve dhe cilësia e tyre për personat me çrregullime mbetet ende një ndër problematikat më të mëdha që shoqëron këta pacientë.

 “Problematika në përgjithsësi ka të bëjë me aksesin dhe me cilësinë e shërbimeve”,- thotë për “Sinjalizo” Neli Demi,  mjek psikiatër konsulent për Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri.

“Përsa i përketë llojit të shërbimeve që ofrohen në spitalet psikiatrike janë shërbime kryesisht biologjikisht të orientuara. I trajtojmë me  medikamente pa iu kushtuar shumë vëmendje shërbimeve terapeutike apo të ndërhyrjes psikologjike”,- thotë Demi.

 “Sipas planveprimit të miratuar në vitin 2013 janë parashikuar të ngriheshin shërbime komunitare në 12 qarqe të vendit, por është një gjë e parealizuar,”- thotë Demi duke shtuar se shërbimet komunitare janë ngritur po në qytete ku pacientët mund të merrnin shërbime në spitale.

“Përsëri këto shërbime komunitare janë ngritur në ato vende ku kanë qenë të ngritura edhe shërbime të tjera, si: Vlora, Elbasani, Shkodra, Tirana. Me disa përjashtime të vogla siç mund të jetë Korça, Kavaja dhe një qendër shumë bazike në Gramsh,”- thotë Demi duke theksuar si problematikë marrjen e shërbimeve të specializuara të shëndetit mendor duke përfshirë edhe pajisjen me shtretër psikiatrikë edhe të spitaleve rajonale.

“Ka qenë një betejë e vazhdueshme për të pasur shtretër psikiatrikë në të gjitha spitalet rajonale gjë që për arsye të ndryshme, qofshin këto për mungesë të burimeve njerëzore, qoftë për mungesë të burimeve financiare apo dhe për rezistencë burokratike apo vendimmarrje politike nuk janë bërë të mundura akoma dhe kjo është një domosmodshmëri”- përfundon ai.

Në Planin Vendor të Shëndetit Mendor 2023-2026 të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se krijimi i Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor rezutoi me reduktimin e numrit të shtretërve të spitaleve psikiatrike.

“Në këtë kuadër, procesi i reduktimit të numrit të shtretërve psikiatrike i zbatuar paralelisht me shtimin e shërbimeve komunitare, e ka çuar në 600 numrin e shtretërve në shërbimet e shëndetit mendor për vitin 2023 nga 900 shtretër në vitin 2000,”- citohet në publikim.

Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) përveç vakancave në stafin psiko-social problematike shfaqet dhe mungesa e trajnimeve për një pjesë të stafit ekzistues.

“Vakancat në stafin psiko-social, mungesa e trajnimeve apo kualifikimeve të nevojshme për një pjesë të tyre, mungesa e larmishmërisë në veprimtaritë rehabilituese dhe terapeutike, mosmbajtja në mënyrë të rregullt e dokumentacionit nga ky staf si dhe mosplotësimi i seksionit të posaçëm për vlerësimin psikologjik të pacientëve në kartelën e tyre klinike, mungesa e ambienteve të veçanta për rehabilitimin në natyrë, për takimet mes pacientëve dhe stafit psiko-social, etj, vlerësojmë se janë disa nga mangësitë që kanë spitalet/pavionet psikiatrike në drejtim të ofrimit të një shërbimi adekuat rehabilitimi për trajtimin e pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor,”- shkruhet në raport.

Megjithatë vala e pacientëve dhe problemet strukturore janë sfidat reale për shërbimet e shëndetit mendor.

Përballë këtyre sfidave, mes profesionistëve  të kujdesit shëndetësor, hartuesve të politikave dhe publikut ekziston ndërgjegjësimi për urgjencën në të cilën ndodhemi. Rritja e financimeve, zgjerimi i shërbimeve komunitare dhe trainimi i profesionistëve të shëndetit mendor janë këmbana që po bien me forcë

Historitë e individëve si Luljana, që ballafaqohen me guxim me depresionin dhe ankthin, nënvizojnë rëndësinë e një sistemi shëndetësor mendor më afër qytetarëve dhe më cilësor. Tirana është nga qytetet që ka më shumë nevojë për t’i ofruar banorëve të vet shërbimin më të mirë të mundshëm.

Nuk mjafton vetëm përkushtimi, por është koha që të vendoset si prioritet shëndeti mendor, për të patur një mjedis ku të gjithë ata që kanë nevojë ta ndjejnë veten të sigurtë.

Marrë nga Qëndra për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH