Sociale

Qeveria përcakton kriteret e përfitimit të qirasë së strehimit për punonjësit e policisë

Shkruar nga Liberale
Qeveria përcakton kriteret e përfitimit të qirasë së

 

Qeveria ka përcaktuar se fundit kriteret e përfitimit të qirasë së strehimit për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Bëhet fjalë për ata punonjës të cilët transferohen për shkak të detyrës në një largësi mbi 36 kilometra larg vend banesës së regjistruar.

Ata do të përfitojë qira për strehim. Vlera e qirasë nuk do të kalojë shifrën e 0.3% të vlerës së shitjes së pronës për metër katror, kjo duke i’u referuar çmimit të referencës për pronën.

Në vendimin e publikuar nga qeveria, janë përcaktuar dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm brenda vendit dhe të cilëve nuk u sigurohet nga Agjencia mjedisi për akomodim.

“Kur punonjësi nuk ka në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 (tridhjetë) m² neto. Për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 (dhjetë) m². Punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse transferohet për shkak të detyrës, për nevoja pune, në largësi mbi 36 km. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e transferimit”, thuhet në vendim.

“Masa e përfitimit të kompensimit për strehim të jetë sa vlera minimale e qirasë mujore, sipas përcaktimeve të vendimit nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.  Konkretisht “ Vlera minimale mujore, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është e barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit”, bëhet e ditur në vendim.

Punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që përfiton kompensim për qira banese, paraqet pranë strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore dokumentet e mëposhtme: a) Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës; b) Fotokopjen e kartës së identitetit; c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është transferuar; ç) Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin ku është emëruar ose transferuar.

“Punonjësi përfiton kompensim për qira, sipas këtij vendimi, për aq kohë sa zgjat transferimi i tij, ose deri në sistemimin me banesë të përhershme në vendin e punës ku është transferuar. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, bëhet e ditur në vendim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH