Stuhia e mbrëmshme me erë të fortë dhe shi rrëzoi çatinë e spitalit bashkiak “Elez Selimi” në Pukë. Personeli u detyrua të evakuojë pacientët e shtruar nga Patologjia dhe Pediatria, të cilët u transportuan në spitalin e Shkodrës.
Aktualisht pavionet e Patologjisë dhe Pediatrisë janë të mbyllura, ndersa funksionon materniteti dhe kirurgjia. Drejtori i Spitalit, Qazim Arifaj tha se godina e spitalit është e siguruar, ndaj nesër do të nisin punimet.
“Ne nisëm drejt Shkodrës rastet më të rënda, ndërsa të tjerët u dërguan në shtëpi dhe do tu jepet shërbim në shtëpi. Është bërë vlerësimi i dëmeve nga shoqëria private e sigurimeve dhe do të nisin punimet. Mendoj se për 2-3 ditë puna do kthehet në normalitet”, tha ai.
Ndërsa në fshatin Lumardh të bashkisë së Fushë-Arrëzit tre banesa rrezikojnë të shemben për shkak të erozionit të tokës. Banoret e zones tregojne se kjo nuk është hera e pare që ka rrëshqitje të dherave ndaj kërkojnë ndërhyrjen e menjehershme të institucioneve.
“Ne duam të bëhet studim gjeologjik për tokën. Shteti të bëjë analizë dhe studim sepse ne jetojmë çdo ditë me frikë. Ka pasur here pas here rreshqitje të dherave. Mund të shkaktohen dhe viktima”, tha Petrit Bicaku, banor.
Era e fortë demtoi çatinë e një banese në fshatin Berishë të Fushë-Arrëzit, ndërsa raportohet për probleme në rrugët rurale dhe mungese energjie në disa zona.