Avokati i familjes së Martin Cani, 14-vjeçarit që u vra me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike. Redi Ramaj, i ftuar në News24, shprehu shqetësimin e familjarëve për mungesën e transparencës dhe kontradiktat në deklaratat e organeve hetimore.
Sipas Ramajt, fillimisht u raportua për tetë autorë të dyshuar, ndërsa aktualisht përmenden vetëm tre. Ai theksoi se dëshmitë e viktimës tjetër të plagosur, Luis Meçja, që pretendon se është goditur nga dy persona, duhet të trajtohen me seriozitet.
Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e qasjes së familjes Cani në pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të cilat mund të jenë prova kyçe për zbardhjen e ngjarjes. Ramaj gjithashtu sugjeroi se hetimet duhet të shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së të rriturve në këtë konflikt fatal.
Avokati vuri në dukje shqetësimin e prindërve për sigurinë e nxënësve në ambientet e shkollës, duke theksuar se zbardhja e plotë e kësaj çështjeje do të shërbente si një masë parandaluese për ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
“Familjarët e të ndjerit kërkojnë drejtësi që në ditën e parë. Nga organet shtetërore nuk kemi pasur transparencë të plotë për ngjarjen. Është një ngjarje e rëndë që nuk duhet të ishte zbardhur vetëm për familjarët e Martin Canit, por për gjithë shoqërinë, e cila kërkon drejtësi. Shpresoj dhe besoj se policia do bëjnë detyrën e tyre. Pretendimi i familjarëve është që nuk ka transparencë dhe ka kontradiktë në deklaratat e policisë. Fillohet me 8 autorë dhe pastaj dalin 3. Vetë deklarimet e të plagosurit, fëmijës tjetër që tha se u godit edhe nga një person tjetër veç autorit duhet të sqarohen. I plagosuri, Luisi ia ka thënë policisë që ditën e parë se është goditur nga dy persona, autorë. Familjarët e Martinit kanë kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë. Prokuroria e cila drejton hetimet duhet të orientojë mekanizmin hetimor duke përfshirë dëshmi, prova shkencore, aktet e ekspertimit të na vendosen në dispozicion se si ndodhi ngjarja dhe si u vra Martini. Pamjet filmike nuk janë parë nga familjarët. Ka dëshmitarë që thonë se nuk ka vetëm konflikt vetëm në datën 18, por ka konflikt edhe ditën e premte ku është përfshirë edhe një rritur. Duhet të merren në pyetje. A ka patur apo jo të përfshirë në konflikt persona të rritur. Familjet janë të shqetësuara se në ambientet e shkollës dhe përreth qarkullojnë fëmijë me thika. Zbardhja e kësaj çështjeje do t’i shërbente të gjithë fëmijëve që janë në shkollat shqiptare”, tha ai.