Sociale

Protestat e punëtorëve, çfarë përfaqësojnë Sindikatat në Shqipëri?

Shkruar nga Liberale

Protestat e punëtorëve, çfarë përfaqësojnë

Në ditën e 1 Majit, që është edhe Dita e Punëtorëve, ka pasur disa lëvizje të sindikatave, megjithëse të paqarta jo mbi mesazhin që ato përcjellin, por për kategoritë e punonjësve që përfaqësojnë. Kjo për arsyen se në të gjithë sektorët, punonjësit në Shqipëri ndihen të papërfaqësuar. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se lëvizjet e sindikatave nuk janë të nevojshme. Ato duhet të jenë më të shepshta, më masive, më përfaqësuese, më serioze. 

Janë parë disa lëvizje sindikatësh sot, disa prej të cilave në misionin e e tyre dhe disa në misione ndoshta personale apo politike.

Ajo që u pa si më e organizuar ishte lëvizja nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë që po organizon sot një tubim paqësor në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve para Kryeministrisë në ditën e 1 Majit.

Me pankartë në duar “Dinjitet për punëtorët”, të pranishmit në protestë ishin punëtorë të sektorëve të ndryshëm, përfaqësues të grupeve të ndryshme dhe organizatave në mbrojtje të punëtorëve.

“Flasim sot për drejtat e punëtorëve në fabrikat e këpucëve dhe veshjeve, a keni shkuar ndonjëherë aty? A i keni pyetur ato gra, a i keni pyetur nëse e marrin pagën minimale? Flasim për pagë minimale kur Evropa, madje edhe Ballkani flet për pagë cilësore, që të mundëson të paguash mjekun në fund të muajit, shportën me ushqime cilësore, jo ushqime të skaduara me ofertë nëpër markete. Për gratë të mos flasim më për pagën minimale, por të flasim për pagën e drejtë”, tha një nga pjesëmarrëset në protestë.

Më herët, Konfederata e sindikatave të Shqipërisë doli në protestë kundër largimit të të rinjve nga Shqipëria.

Me pankarta në duar dhe me valixhe si simboli i largimit, protestuesit kanë marshuar drejt Rinasit, vendi nga ku shumë të rinj largohen për të siguruar jetesën e tyre jashtë Shqipërisë.

Por çështja që shtrohet në vendin tonë është se vetë përfaqësuesit e sindikatave sa demokrate janë? Cili është roli i tyre në këto 33 vite demokraci? A i përfaqësojnë ato vërtet punëtorët. Nëse po, cilët kategori? A janë të organizuar, si i trajtojnë problematikat e tyre?

Apo janë në shërbim të subjekteve të caktuara politike? Me përjashtim të lëvizjeve që janë vërtet lëvizje, a është i aftë publiku të dallojë lëvizjet që janë në shërbim të tij?  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH