World Vision Albania ka nisur një projekt inovativ për të krijuar një “Hapësirë Zhvillimore” në shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë, mbështetur nga Grupi TITAN në Shqipëri.
Ky projekt përqendrohet jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të integruara që i përgjigjen nevojave të ndryshme që ka çdo fëmijë në aspektet e zhvillimit dhe të nxënit, por edhe në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme familjare përmes kurrikulës së Prindërimit Pozitiv.
“Trajnimi i parë me prindërit do të pasohet nga një sërë aktivitetesh të tjera. Duke punuar së bashku, ne mund të krijojmë një mjedis mbështetës që ushqen potencialin e fëmijëve tanë,” – u shpreh Orjola Xhaholli, Këshilltare Teknike për Fëmijët dhe të Rinjtë në World Vision Albania.
Kjo mbështetje do të sjellë përfitime afatgjata për komunitetin lokal, duke krijuar një mjedis edukues, gjithëpërfshirës dhe zhvillimor.
“Trajnime të tilla na ndihmojnë të mbështesim më mirë rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve tanë,” – theksoi Havja, dy fëmijët e së cilës frekuentojnë shkollën ku do të ndërtohet Hapësira Zhvillimore.
Ky projekt financohet nga Grupi TITAN në Shqipëri dhe zbatohet nga World Vision Albania me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.