Sociale

Projekti ERASMUS+/ Rektorja Drita Kruja: UET është universiteti privat me numrin më të madh të studentëve në shkëmbimet ndërkombëtare

Shkruar nga Liberale

Projekti ERASMUS+/ Rektorja Drita Kruja: UET është universiteti privat

Prof. Dr. Drita Kruja*

Kjo ditë është një moment krenarie dhe festimi, një ditë që shënon përfundimin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një tjetri në jetën tuaj. Ju keni kaluar vite me përkushtim, punë të palodhur dhe sakrifica për të arritur këtu dhe, sot, ja ku jeni, ia dolët dhe është më të vërtetë dita për të festuar arritjet tuaja.

E bindur se keni marrë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar çdo sfidë dhe për të ndërtuar një karrierë të suksesshme, pasi në Universitetin Europian të Tiranës është vendosur gjithmonë studenti në qendër të çdo gjëje që bëhet. Ne, besojmë se suksesi i vërtetë arrihet kur çdo student ndihet i vlerësuar, i mbështetur dhe i inkurajuar për të ndjekur pasionet. Një qasje e tillë na ka udhëhequr në krijimin e një mjedisi ku studentët kanë mundësi të zhvillohen akademikisht, profesionalisht dhe personalisht.

Mund të them pa drojë se një komponent thelbësor i qasjes sonë është cilësia e mësimdhënies. Besojmë se mësimdhënia cilësore është edhe çelësi për formimin e profesionistëve të suksesshëm. Pedagogët tanë janë jo vetëm ekspertë të fushave të tyre, por edhe mentorë të përkushtuar që inkurajojnë dhe mbështesin studentët në çdo hap të rrugës së tyre akademike. Ne, përpiqemi të sigurojmë që çdo orë mësimi të jetë e frytshme dhe e fokusuar në zhvillimin e aftësive praktike dhe teorike, që do u shërbejë në të ardhmen.

Një nga aspektet më të rëndësishme të edukimit tuaj ka qenë angazhimi në kërkimin shkencor. UET ka krijuar një mjedis stimulues për kërkime, ku studentët kanë pasur mundësinë të eksplorojnë, eksperimentojnë dhe të zhvillojnë aftësitë hulumtuese. Për pesë vite radhazi, kemi organizuar Konferencën e Ditëve të Studimeve Shqiptare (DSSH) për kërkuesit e rinj, ku punimet më të mira kanë fituar Çmimin e Presidentit të UET.

Në konkursin e punimeve kërkimore organizuar nga CleanScore - AADF, studentët tanë kanë shkëlqyer: në edicionin e katërt studentët e financës, Lorena Gosemi fitoi vendin e parë dhe Xhesi Shkreta vendin e dytë, ndërsa Ruane Firaj, studente e Psikologjisë, fitoi vendin e tretë në edicionin e pestë. Disa nga esetë, temat e diplomave dhe review-t më të mira janë publikuar në 5 revistat tona shkencore.

Inovacioni dhe teknologjia kanë qenë gjithmonë pjesë e aktiviteteve tona. Studentët tanë nga Departamenti i Informatikës dhe Teknologjisë kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme si Hackathon IdentiTek, ku një nga grupet tona u shpall fitues. Po ashtu, një grup studentësh vajza morën pjesë në Hackathon Girls in ICT.

Studenti i programit të Inxhinierisë Informatike, Elfat Memaj, si përfaqësues i UET, është pjesë e një skuadre ndërkombëtare në një hackathon të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, me qëllim modelimin e makinerive për trajtimin e personalizuar të pacientëve.

Studentët e programit të financës kanë marrë pjesë në Konkursin Stock Market Learning – Simulim në Stock Markets, organizuar nga German Sparkassenstiftung, ku kanë fituar çmimin e dytë në nivel kombëtar: Marketing Ndoci, Lorna Ndrio dhe Anisa Zhupa.

Studentët e programit të Komunikimit kanë pasur mundësinë të punojnë në Gazetën Liberale, AMA dhe Euronews, të bëhen pjesë e produksioneve televizive si Krisa Caushi, bashkë-prezantuese e Festivalit Kombëtar të Këngës në RTSH, si dhe pjesëmarrja e një grupi studentësh në rolin e hulumtuesve në Big Brother VIP Albania.

Studentja e Komunikimit, Klerisa Azuni është fituese në programin e Gazetarisë Investigative të Ambasadës Amerikane.

Studentët tanë kanë treguar gjithashtu aftësi të shkëlqyera në sport. Ekipi i UET ka fituar disa kupa studentore kombëtare në minifutboll, si dhe Kampionatin Kombëtar Universitar në futsall. Studenti i degës së Edukimit Fizik dhe Sporteve, Kevin Demneri, ka fituar titullin e Kampionit Kombëtar në Kickbox.

Studentët e programit të arteve pamore kanë organizuar Koloninë e Artit në Petrelë dhe Ekspozitën e Arteve Pamore në UET, ku kanë prezantuar punimet e tyre dinjitoze. Gjithashtu, organizimi i Festivalit të Filmit dhe vendosja në skenë e pjesëve teatrale kanë treguar talentin dhe kreativitetin e tyre.

Mobilitetet janë një komponent thelbësor i edukimit bashkëkohor, duke ofruar një sërë përfitimesh të paçmuara për zhvillimin akademik dhe personal tuajin, përfshirë zgjerimin e perspektivës kulturore dhe akademike, rritjen e mundësive të punësimit dhe ndërtimin e rrjeteve ndërkombëtare. Këto përvoja ju ndihmojnë të bëheni më të pavarur, të adaptueshëm dhe të aftë për të punuar në mjedise të ndryshme kulturore. Prandaj, me krenari themi se jemi universiteti privat me numrin më të madh të mobiliteteve në kuadër të projektit Erasmus+. Në këtë vit akademik, kemi pasur 27 studentë që kanë përfunduar mobilitete 5 mujore dhe 10 mujore pranë universiteteve tona partnere si: Uppsala University, Salzburg University, Malardalen University, Riga Technical University, Beira Interior University, Koc University, Almeria, etj., dhe kemi mirëpritur 26 studentë për një semestër nga këto universitete.

Studentët e vitit të tretë të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Komunikimit morën pjesë në një vizitë studimore në Vjenë, kryeqendrën e diplomacisë, ku zhvilluan takime dhe vizita në të gjitha institucionet ndërkombëtare me qendër në Vjenë, akademitë kryesore dhe disa institucione kombëtare.

Kontributi në Komunitet është një prioritet tjetër i yni. Gjatë këtij viti, studentët e Klubit Hipokrati kanë ndërmarrë disa nisma sociale në komunitet, duke ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët. Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, ata matën tensionin arterial, ofruan informacione për shëndetin riprodhues në shkolla, si dhe fushata sensibilizuese për Sindromën Down. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu prindërit dhe familjet tuaja për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe përkushtimin ndaj edukimit tuaj. Pa mbështetjen e tyre, kjo arritje e madhe nuk do të ishte e mundur.

Ju inkurajoj të qëndroni gjithmonë kuriozë, të vazhdoni të mësoni dhe të ndjekni pasionet tuaja. Ndërsa bëni këtë, mos harroni kurrë vlerat dhe parimet që keni mësuar këtu. Ju jeni ambasadorë të universitetit tonë dhe ne jemi krenarë për ju.

Ju inkurajoj të konsideroni studimet Master, pasi kjo do t'ju ofrojë mundësi të mëtejshme për të thelluar njohuritë tuaja dhe për t’u specializuar në fushat tuaja të interesit.

Studimet master jo vetëm që rrisin mundësitë tuaja të punësimit, por edhe ju përgatisin për role menaxhuese dhe kërkimore. Universiteti ynë ofron një gamë të gjerë programesh master që janë dizajnuar për të plotësuar nevojat dhe ambiciet tuaja profesionale.

Në fund, dua t'ju uroj të gjithëve suksese në çdo hap që do të ndërmerrni në të ardhmen. Le të jetë kjo ditë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm.

*Rektore e Universitetit Europian të Tiranës. Fjala përshëndetëse në festën e mbylljes së studimeve në ciklin bachelor.

 

 

 

Poll
SHQIPENGLISH