Aranit Muraçi
“Modeli piramidal i vlerave” pa punë, pa shkrim dhe këndim u pasurua në adoleshencën dhe rininë e tij të hershme aq shumë, pa dalë asnjë ditë në treg, saqë shpejt mori edhe titullin, “artist”, “profesor", “biznesmen”. Suksesi i tij triumfoi shumë shpejt përballë të gjithë moshatarëve me të cilët ai ishte në klasë të parë.
“Modeli” i rrugëve pa profesion e ndërpreu shkollën në klasën e dytë. Fatkeqësisht të tjerët që ndoqën rrugën e drejtë të arsimit dhe iu përkushtuan punës së ndershme, punuan shumë, respektuan rregullat dhe ligjet e shoqërisë, dështuan në garën pa garë me “trafikantin model dhe promovuesit e tij”.
Zyrtari mediokër dhe i korruptuar, mes dy modeleve bëri zgjedhjen e tij “perfekte”. Trafikanti dhe falsifikatori “model” pas kësaj u bë edhe deputet, diplomat, shkencëtar, bamirës, sherrxhi, largpamës, bëri çfarë deshi me pak fjalë. Me suksesin e tij qau dhe qeshi bota mbarë!
E promovuan pa hesap kudo aq sa modelin e tij e futën edhe në tekstet e shkollave duke i “çmendur” fëmijët pas tij dhe jo dijes e edukimit që duhet të marrin apo modelit të vërtetë që duhet të ndjekin. Nga modeli i tij i suksesit dështoi puna, dija, nderi, shoqëria, thuajse e tëra ka përfunduar në një “çmendinë” pa rrugëdalje.
Nisi të kapitullojë kështu me kohë modeli tradicional dhe ai ideal i shoqërisë sonë, kur iu mohua gara, për ti hapur rrugë një modeli tjetër, i një projekt piramidal i krijuar në një mjedis kaotik, rrënjët e së cilët u mbollën në ‘97. Ashtu si atëherë për ti shpëtuar këtij modeli, pjesa më e madhe dhe më e shëndoshë e shoqërisë, njerëzit e arsimuar, punëtorë të ndershëm, të alarmuar, vazhdojnë të largohen nëse u jepet mundësia, ditën dhe natën.
Për dy modelet e shoqërisë sonë kush nuk i ka dalluar dhe nuk i dallon dot, vajton kot sot!
Nuk ranë sot vlerat dhe nuk u ngritën për një ditë plehrat! Mjerët fëmijët dhe mjedisi ku ata po rriten.