Sociale

Oraret dhe pushimet “sipas dëshirës”. Pas rritjes së pagave, zbardhet PLANI i masave lehtësuese për Administratën Publike

Shkruar nga Liberale

Oraret dhe pushimet “sipas dëshirës”. Pas rritjes së

Pas rritjes së pagave, ata që punojnë në shtet do të mund të zgjedhin vetë se kur do të shkojnë në punë dhe të marrin pushime edhe më pak se një javë, siç aktualisht është rregulli. Gjithashtu, punonjësit do të marrin para shtesë në bazë të performancës, ndërsa “për t’i dhënë një tjetër frymë” administratës, do të ngrihet edhe një “Akademi lidershipi.”

Masat e reja në kuadër të të ashtuquajturit “Plani i Motivimit të Administratës Publike”, u njoftuan nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni: “Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella. E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. E treta, do të kemi një akademi lidershipi për 450 drejtues në institucionet publike”.

“Administrata jonë ka plot të meta, por ajo nuk është një çerdhe ku janë mbledhur djajtë”, tha kryeministri Edi Rama, teksa tregoi edhe se kur do të rriten pagat për mësuesit, mjekët, infermierët dhe gjithë ata që punojnë në shtet.

“Në qershor hyn në fuqi rritja e re pagave dhe kështu të gjithë do të kenë rritje në pagën e tyre dhe të arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Nuk diskutohet. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni. Paga e radhës do të jetë paga e rritur dhe është një rritje e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin. Edhe më shumë do të jenë. Është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe”, deklaroi Rama.

I pranishëm në prezantimin e Planit të Motivimit të Administratës Publike ishte dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili i lidhi ndryshimet me procesin e integrimit të Shqipërisë në “union”.

“Nuk është rastësore që për BE, reforma e administratës publike është thelbësore si elementët e tjerë të anëtarësimit. Reforma e administratës publike do të jetë një nga faktorët përcaktues të integrimit. Shqipëria ka miratuar një udhërrëfyes realist dhe ambicioz dhe përcakton hapat më të rëndësishëm që shërbimi civil të jetë në lartësinë e detyrës që e pret”, deklaroi ambasadori i BE.

Plani i Motivimit të Administratës Publike vjen në një kohë që shteti po vuan për punonjës në disa kategori. Nga specialist të thjeshtë, por deri edhe në pozicionin e drejtorëve, sot numërohen rreth 1200 vende bosh në shtet.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH