Sociale

Njohja e pensioneve me Italinë, ekspertja tregon kushtet e përfitimit dhe se si do të funksionojë marrëveshja

Shkruar nga Liberale

Njohja e pensioneve me Italinë, ekspertja tregon kushtet e përfitimit

Drejtuesja e Konferederates Italiane të Sindikatave të Punës në Shqipëri Beskida Aliaj, në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv ka sesi do të funksionojë marrëveshja e njohjes reciproke të pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ajo tregoi se nëse ke pasur siguracione pune si në Itali edhe në Shqipëri, do të mblidhen dhe secili shtet do të të japë pension në bazë të viteve që ke punuar në secilin vend.

Për ata persona që e kanë kaluar moshën e daljes në pension, Aliaj thotë se ligji nuk ka efekt prapaveprues. Pra fatkeqësisht ata që kanë dalë në pension e kanë humbur këtë të drejtë, pasi ligj do të japë efekte nga momenti që botohet në fletoren zyrtare.

Përveç pensionistëve ajo tha se nga marrëveshja përfitojnë dhe disa kategori të tjera, si në rastin e grave që u ka ndërruar jetë bashkëshorti, kur bëhet fjalë për pensione invaliditeti. Gjithashtu përfitimi i dytë është se sa vjetërsi pune ke si individ në Itali. 

Pyetje: Çfarë parashikon marrëveshja?

Aliaj: Marrëveshja parashikon bashkimin e viteve të punës që emigranti ka pasur në Shqipëri dhe që filloi të punojë edhe në Itali. Pra bashkimi i viteve të punës midis dy shteteve. Bashkimi i viteve të punës është në mënyrë figurative. Nuk ndikon kjo te masa e pensionit. Do të thotë se secili shtet do ti japë pensionistit pension për ato vite ku ai ka kontribuar.

Italia do ti japë pension për aq vite sa ka kontribuar në Itali, ndërsa Shqipëria do ti japë pension për aq vite sa ka kontribuar në Shqipëri.

Për shembull: Nëse një emigrant para se të ikte në Itali ka punuar në Shqipëri 14 vite me kontribute të rregullta. Sistemi pensionistik shqiptar thotë se duhet të kesh minimumi 15 vite punë që të marrësh një pension të pjesshëm dhe të futesh në skemën e pensioneve. Me 14 vite punë që emigrasnti ka janë të pamjaftueshme. Pra  i mungon një vit. Ai shkoi në Itali dhe bëri 19 vite punë. Ligji italian thotë se duhet të kesh patjetër minimalisht 20 vite punë që të marrësh një pension të pjesshëm. Edhe në Itali i mungon një vit. Në total ka 33 vite.

Po të mos ishte marrëveshja do të ishte i djegur nga të dyja shtetet nuk do merrte pension as në Shqipëri as Itali sepse ka nga një vit mangët në secilin shtet.

Me bashkimin e viteve të punës në sajë të marrëveshjes atij do ti quhen 33 vite punë dhe janë të mjaftueshme, sepse ka kapërcyer pragun. Sigurisht që kjo nuk do thotë se ka 33 vite punë për Italinë dhe ajo do të detyrohet ti japë pension për 33 vite, ajo do i japë pension vetëm për vitet e saj.

Pyetje: Po nëse ke 42 vite punë, përfiton pension të parakohshëm?

Aliaj: Kjo është situata e dytë. Italia ka një ligj të posaçëm që e quan pension me vjetërsi pune. Ku çdo qytetar qoftë italian qoftë shqiptar nëse ka 42 vite e 10 muaj punë me siguracione të rregullta në Itali për burrë, e 41 vjet e 10 muaj për gra ai mund të dalë në pension pavarësisht moshës, edhe nëse është më i ri se 67 vjeç sepse mosha zyrtare është 67 vjeç. Edhe nëse është 57 vjeç ai do ta marrë sapo i ka mbushur këto 42 vite e dhjetë muaj vjetërsi pune.

Kjo është e mirë e madhe për emigrantët sepse shumica duke qenë se kanë punuar në Shqipëri.

Pyetje: Si bëhet përllogaritja e pensionit nga minimal?

Aliaj: Për të marrë një pension ka dy elementë vite pune dhe lloji i punës. Sa vite pune ke, sa më shumë aq më mirë sepse të del masa e pensionit më e lartë. Nëse ke pasur një punë të pakualifikuar me pension e pagesë të ulët do e kesh pensionin e ulët. Nëse ke pasur një punë më të mirë do të të dalë një pension më i lartë. Secili shtet do të të japë për aq sa ke kontribuar. Secili shtet jep pjesën e vetë, e theksoj këtë sepse shumica e emigrantëve këtë pyetje bëjnë.

Pensionisti do marrë pension nga Italia vetëm për vitet që ka punuar në Itali.

Pyetje: Kush përfiton tjetër nga kjo marrëveshje përveç pensionistëve?

Aliaj: Nuk janë vetëm pensionistët, edhe gratë shtatzëna, edhe ata që plotësojnë kushtet për invaliditet. Edhe ata që dalin të papunë dhe marrin ndihmë ekonomike nga shteti. Do përfitojnë dhe gratë vejusha pas vdekjes së bashkëshortit. Do të marrë nga Shqipëria 50% të pensionit që do ti takonte burrit dhe në Itali 60% të pensionit që do t’i  takonte burrit. Përfitojnë edhe fëmijët.

Pyetje: Ka një shifër sesa është numri i shqiptarëve që përfitojnë?

Aliaj: Qeveria është shprehur sikur janë 200 mijë. Nga statistikat e shtetit italian rezultojnë se janë 160 mijë deri në 170 mijë kontribuues. Kur them kontribuues, janë të të gjitha moshave që derdhin kontribute. Rreth 25 mijë persona çdo vit mbushin moshën e dalin në pension.

Pyetje: Ka efekt prapaveprues ligji?

Aliaj: Jo nuk ka. Ligji do e shtrijë efektin e vetë në momentin që do ketë kaluar fazën e ratifikimit në parlamente. Pas ratifikimit do publikohet në fletoren zyrtare. Dhe pas 15 ditësh deri në dy muaj pas publikimit në fletoren zyrtare ligji merr fuqi të plotë ligjore. Që nga ai moment do ta shtrijë edhe efektin e vetë dhe do të fillojnë të kërkojnë pensione emigrantët. Ata emigrantë që e kanë kaluar moshën prej disa vitesh nuk mund të kërkojnë muajt dhe ditët e prapambetura. Kisha një emigrant 70 vjeçar që erdhi të kërkojë pension italian. I ka lindur e drejta për pension që në moshën 67 vjeç. Ka afërsisht tre deri në katër vite që nuk e gëzon pensionin që po pret marrëveshjen. Ai tha këto vite që kam humbur ndërsa pres marrëveshjen a do më kthehen pas në formë pensioni? Fatkeqësisht kjo nuk do ndodhë sepse ligji nuk i njeh vitet e humbura do e gëzojnë pensionin vetëm personat që mbushin moshën tani e pas.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH