Të hënën e nëntë shtatorit në arsimin parauniversitar nis mësimi.
Rreth 350 mijë nxënës sipas Ministrisë së Arsimit do të kthehen në shkollë. Prej tyre 28 mijë ulen për herë të parë në banka.
Nxënësit në arsimin 9 vjeçar dhe gjimnazistë që vijnë nga familje që i përkasin grupeve në nevojë janë pajisur me paketat e plota të librave falas.
Ndërsa shkollat janë bërë gati për fillimin e vitit të ri. 25 prej tyre sipas ministrisë hapin dyert për herë të parë. Në Tiranë pas rikonstruksionit sipas kryetarit të bashkisë rihapen shkolla “Musine Kokalari”, “Xhezmi Delli”, “Myslym Keta”, “Avni Rustemi” dhe “Emin Duraku”.
Nga e hëna në Tiranë trafiku do të hyjë në një regjim të ri dhe prioritet do të ketë transporti i nxënësve. Mjetet e furnizmit të dyqaneve dhe marketeve referuar udhëzimit të kryebashkiakut Erion Veliaj nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.
Ndërkohë për garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e fillimit të shkollës Policia e Shtetit ka shtuar numrin e efektivëve në afërsi të institucioneve arsimore dhe thotë se po bashkëpunon me stafet mësimore për një mjedis të sigurt për çdo nxënës.