Sociale

Mos ikni në Gjermani! Qeveria: Do të rihapen aplikimet e kredive për shtëpi me zero interes për mjekët dhe infermierët

Shkruar nga Liberale

Mos ikni në Gjermani! Qeveria: Do të rihapen aplikimet e kredive

Interesi zero, rihapen aplikimet për kredi të lehtësuara për mjekët e infermierët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka zhvilluar një takim në ambientet e MSHMS-së me mjekë specializantë të cilët kanë ofruar shërbime shëndetësore në spitalet rajonale.

“Kënaqësi të zhvilloja një bashkëbisedim me Almën, Lorenën, Glenin, Aidën, Faridën dhe të tjerë mjekë specializantë, të cilët i falënderova për punën dhe shërbimin në specialitete të ndryshme të ofruara për qytetarët përgjatë këtyre tre viteve, pranë spitaleve rajonale dhe bashkiake në të gjithë vendin, duke përmbushur me sukses kështu edhe detyrimin kontraktual me MSHMS”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë këtij takimi, ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se shumë shpejt do të rihapen aplikimet për kredi për shtëpi me zero interes për mjekët dhe infermierët.

“Bashkë me këta mjekë të rinj ndava lajmin e mirë se MSHMS do të rihapë shumë shpejt aplikimet për kredi të lehtësuara për mjekë dhe infermierë, pas 85 përfituesve në muajin dhjetor të vitit të kaluar”, deklaroi Koçiu.

“Ministria e Shëndetësisë me politikat e saj ka në fokus mbështetjen e të rinjve, të cilët vazhdojnë të japin kontributin e tyre për vendin dhe në sistemin shëndetësor publik i cili është bërë konkurrues me atë jo publik, në sajë të investimeve në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore të realizuara vitet e fundit”, ka theksuar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH