Sociale

Ministrja Koçiu apel qytetarëve për kryerjen vaksinës ndaj gripit: Shërbim 24 orë në të gjithë vendin

Shkruar nga Liberale

Ministrja Koçiu apel qytetarëve për kryerjen vaksinës ndaj

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apeloi sot që grupet e riskuara si pasojë e virozëve të stinës së dimrit, të kryejnë falas vaksinën kundër gripit.

“Vaksina kundër gripit vijon të kryhet falas në qendrat shëndetësore për grupet e riskuara, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu deklaron se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mundësuar që krahas 4 qendrave shëndetësore 24/7 në Tiranë për urgjencat pediatrike, edhe 31 qendra shëndetësore në të gjithë vendin të jenë në shërbim 24 orë, edhe gjatë fundjavës për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të cilët mund t’i drejtohen mjekut të familjes pranë vendbanimit, pa patur nevojë të shkojnë në spital”.
Gjithashtu, Koçiu u bëri thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë shenjat e gripit dhe të ndjekin këshillat e mjekut në këtë periudhë virozash për të shmangur komplikacionet në shëndet.

Ministrja publikoi edhe apelin e mjekes pediatre pranë Qendrës Shëndetësore Nr.9 në kryeqytet, Adriana Cenko.

“Periudha vjeshtë-dimër është e ngarkuar me viroza të ndryshme. Një nga virozat kryesore që dominon në këtë periudhë është gripi. Gripi lë komplikacionet e veta në sistemin pulmonar, tek fëmijët, tek sinuset tek fëmijët mbi 7 vjeç. Për të parandaluar këto komplikacione, unë si mjeke pediatre këshilloj vaksinimin e fëmijëve nga 6 muaj në 18 vjeç. Gripi prek dhe moshat e treta, kështu që këshilla ime është vaksinimi”, tha mjekja pediatre.

Mjekja pediatre apelon që “për këtë periudhë që është periudhë virozash, këshilloj nënat që në qoftë se fëmijët e tyre kanë shenjat e një viroze, mireqënia për t’u kujdesur për fëmijët tuja është dhënia e suprave me zarzavate, lëngjeve, frutave të freskëta dhe nxjerrja në ajër të pastër”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH