Sociale

IN MEMORIAM/ 124 vite pa Naimin, rilindasi i madh që karrierën e nisi si doganier në Sarandë

Shkruar nga Liberale

IN MEMORIAM/ 124 vite pa Naimin, rilindasi i madh që karrierën e nisi

Më 20 tetor 1900 u nda nga jeta poeti Naim Frashëri.

Naimi si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë - nga fshatari i robtuar deri tek "nizami" që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s'kishte.

Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë - Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea".

Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877).

Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu - Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1885):

Naim Frashëri
(nga Çajupi)

"Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
...........
Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç'të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s'ka të tjerë...."

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH