Aranit Muraçi
Të fajësosh mediat dhe gazetarët mbi lajmet që publikojnë për Parashqevinë është njësoj si të fajësosh një tregtar i cili i sjell tregut atë mall me atë cilësi dhe atë çmim që kërkon konsumatori.
Të fajësosh publikun pse e pëlqen ende dhe nuk e ka harruar Parashqevinë është njësoj si të mësosh përmendësh një tekst të këngëve plot zhurmë dhe stres, dhe t’iu propozosh poetëve që ka bota mbarë që të ndryshojnë profesion sepse “në emër të marrëzisë” epoka e tyre ka mbaruar.
Ose është njësoj si të fajësosh për mungesë etike në një vend ku lulëzojnë korrupsioni dhe trafiqet një politikan që bën premtime dhe nuk i mban, por ndodh; që sa më shumë gënjen dhe e mashtron publikun edhe më tepër pëlqehet dhe votohet.
Është gati njësoj si dikush që paguan një zyrtar për t’i bërë një nder që nuk i takon, dhe publiku nuk e ka të qartë se kush duhet fajësuar; ai që e jep apo ai që e merr ryshfetin. Apo tjetri që duke refuzuar të paguajë humb të drejtën që i takon.
Është pak a shumë njësoj si të fajësosh studentët pse nuk kemi elitë konkuruese sot në treg dhe nuk vlerësohet ekspertiza e duhur për zgjidhjen e problemeve në ekonomi, drejtësi, arsim, kulturë, dhe fusha të tjera me rëndësi, të nevojshme në progresin shoqëror. Ose është njësoj si të fajësosh Parashqevinë që i këndoi nënës, fëmijëve, lumturisë, dashurisë, atdheut dhe të ngarkosh atë me përgjegjësi për shthurjen e të rinjve sot.
Të fajësosh Parashqevinë se është produkt i komunizmit dhe si rrjedhojë e kësaj artistikisht e pavlerë është njësoj si të shfajësosh politikisht komunistët që u shndërruan brenda natës në demokratë dhe më keq akoma t’i kërkosh “armiqtë” në një fushë tjetër ku nuk je as lojtar dhe as spektator.
Të akuzosh të tjerët pse nuk ndajnë të njëjtin mendim që kanë edhe ata për Parashqevinë, pa dëgjuar, respektuar dhe mësuar nga pluralizmi i mendimeve, është njësoj si të mos kesh lexuar ndonjë libër përveç “edhe një herë tjetër mbi rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë”.
Zemërimi i akumuluar që çoi në shpërthimin e papritur të publikut ndodhi sepse qytetarët gjetën te Parashqevia simbolin e padrejtësive të mëdha që ka kaluar dhe përjetuar gjatë dekadave të fundit shoqëria shqiptare. Gjetën vetveten. Nëse ajo s’do të ishte e talentuar dhe pa vlera, askush nuk do të kishte reaguar.
Dështimin personal të Parashqevisë publiku refuzoi ta pranonte, sepse shumica e gjeti veten te rrugët e humbura të këngëtares. Të akuzosh dikë pse ka humbur mendjen në një moment të caktuar nga traumat dhe padrejtësitë me të cilat e ka përballur jeta, pa i ditur rrethanat dhe pa pasur asnjë ndjeshmëri njerëzore, në vend të ndihmës që mund t’i afrohet, është çmenduri.
Si përfundim, Parashqevia na mësoi se janë pikërisht këta të çmendur që duhen izoluar, ose duhen çuar në vendin ku u gjet ajo e humbur!