Me çekanin e gurskalitësit në duar prej 20 vitesh gurgdhendësi Selami Rondo shtron rrugët e kalldrëmta duke zbukuruar me qilimat e gurtë qytetin e Gjirokastrës. Ai shprehet se mjeshtërinë e gurskalitësit e ka trashëgimi familjare sepse edhe të parët e tij kanë punuar dhe gdhendur gurin.
“Kemi një lidhje, një trashëgimi familjare me këtë zanat, kemi pasur edhe ustallarë të tjerë të moçëm si Xhemali Rondo, se edhe unë jam nga ky fis dhe e dyta, është që më pëlqen, dua edhe unë të jap një ndihmesë përderisa më pëlqen ky zanat dhe e ushtroj, të japë edhe një ndihmesë timen se është një zanat pothuajse në zhdukje”, thotë Rondo i ftuar në Euronews Albania.
Gurgdhendësi ka punuar për ndërtimin e rrugëve të kalldrëmta në shumë lagje të qytetit.
“Kemi punuar tek kalaja, pazarin, rruga e lagjes “Varosh”, por këtu ku jemi tani momentalisht është një diçka që bëhet nga e para, nuk janë meremetime, nuk janë pjesë të ngushta, por i kemi marrë të gjitha këto rrugë dhe po i bëjmë nga e para, nga fillimi”.
Banorët e qytetit si dhe turistët e vlerësojnë punën e mjeshtërve gurgdhendës sepse hijeshojnë Gjirokastrën si dhe mbajnë gjallë traditën e punimit dhe skalitjes së gurit.
Mjeshtri gurgdhendës apelon që tradita shekullore e skalitjes së gurit duhet të transmetohet tek të rinjtë në mënyrë që ky zanat të mos harrohet. Rrugët e kalldrëmta janë një prej simboleve të qyteti të Gjirokastrës, të cilat tërheqin turistët nga vende të ndryshme të botës.