Është një foto e rrallë dhe historike e inaugurimit të Universitetit të parë në Shqipëri nga Enver Hoxha në vitin 1957. Bie në sy edhe veshja e veçantë e diktatorit komunist. Tingëllon disi ironike por duhet pranuar që universiteti i parë u ngrit shumë vonë krahahasuar me vendet e tjera, madje u ngrit nga regiimi komunist.
Ndërtesa kryesore dhe ikonike e UT është planifikuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio në fillim të vitit 1940, ose në periudhën e pushtimit fashist, si një tjetër paradoks me historikun e arsimit të lartë në Shqipëri. Godina ndodhet e paprekur sot në sheshin Nënë Tereza.
Sot universiteti i Tiranës vijon të jetë edhe universiteti më i madh në vend, për nga sasia, por jo nga cilësia. Shumë kritikë me formim perëndimor thonë se pavarësisht ndryshimeve politike të 33 viteve më parë, Universitetit publik të Tiranës i ka mbetur “ora” në ‘90 pasi vazhdon ti qëndrojë besnik të njëjtit mentalitet, në vend të progresit. Dhe në vend që të ishte promotor i zhvillimeve të arsimit, në radhë të parë, dhe më tej i shoqërisë dhe i mbarë vendit, ka mbetur peng i mentalitetit të kaluar e të vjetëruar sovjetik.
Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 si Universiteti Shtetëror i Tiranës, nëpërmjet bashkimit të pesë instituteve ekzistuese të arsimit të lartë, më i rëndësishmi prej të cilëve ishte Instituti i Shkencave, i themeluar në vitin 1947. Menjëherë Pas vdekjes së Enver Hoxhës në 1985, universiteti u quajt Universiteti i Tiranës Enver Hoxha deri në vitin 1991 kur emri iu hoq me rrëzimin e regjimit komunist.
Në vitin 1991 Universiteti Politeknik i Tiranës u nda nga Universiteti i Tiranës, në bazë të legjislacionit përkatës, dhe që atëherë e deri tani ai mban statusin e institucionit të pavarur.
Fakultetet dhe institutet janë të shpërndara ne godina të ndryshme në qytetin e Tiranës dhe nuk ka ende një korpus universitar si një investim serioz ose vizion zhvillimi nga ndonjë prej qeverive të ashtuquajtura demokratike dhe progresiste.