115 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"
Më 1 dhjetor 1909 u çel “Normalja e Elbasanit”, institucioni i parë i përgatitjes së mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.
Pas shumë përgatitjesh, të mbështetura nga i gjithë kombi, veçanërisht nga populli i Elbasanit, më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan e para shkollë e mesme shqipe kombëtare në vendin tonë. Në vitin e parë shkollor 1909-1910 shkolla “Normale” kishte 70 nxënës të brendshëm, (konviktorë) dhe më shumë se 70 të jashtëm.
Në këto vite dhanë mësim Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Petër Dodbiba, Hasan Mezja, Simon Shuteriqi, Dhimitër Paparisto etj.
Elbasani nuk do të ishte djep arsimi pa “Normalen” dhe kjo shkollë nuk do të ekzistonte pa elbasanasit e nderuar. “Normalja” pati jehonë brenda dhe jashtë vendit dhe shtypi i kohës, edhe pse e mesmem për nga rëndësia, e cilëson si shkollë të lartë (universitet).
“Normalja” mbetet institucioni i parë për shumë dekada, për përgatitjen e mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë.
Shkolla “Normale” e Elbasanit nuk mund të kuptohet pa kontributin e drejtorit, Aleksandër Xhuvani, një figurë e nderuar e kulturës, gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, Mësues i Popullit, emrin e të cilit sot e mban Universiteti i Elbasanit. Veprimtaria e Xhuvanit nis në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe arriti zhvillimin më të madh pas çlirimit. Si mendimtar i shquar, ai ka qenë edhe veprimtar i njohur shoqëror e politik.
Komisioni i shkollës Normale në vitin 1909.
Në këmbë nga e majta: Ahmed Dakli, Qazim Hydi, Rrapush Demeti, Andon Beça, Rrapush Bumçi dhe Hasan Çiftja.
Ulur Sheh Mahmut Guna,Qemal bej Karaosmani, Papa Jorgji Theohari.