Sociale

Flet studimi: Era e lotëve të grave i bën burrat më pak agresivë

Shkruar nga Liberale

Flet studimi: Era e lotëve të grave i bën burrat më pak

Burrat janë më pak agresivë pasi nuhasin lotët e grave, sipas një studimi të botuar në PLOS Biology.

Hulumtimi, i kryer nga Instituti i Shkencave Weizmann në Izrael, zbuloi se lotët e njeriut përmbajnë një sinjal kimik që redukton aktivitetin në dy rajone të trurit të lidhura me agresivitetin.

Studimet e mëparshme me brejtës zbuluan se lotët e minjve femra pakësojnë grindjet midis minjve meshkuj. Shkencëtarët thanë se studime të tjera tregojnë gjithashtu se nuhatja e lotëve redukton testosteronin.

Pasi mblodhën lot nga gjashtë vullnetare femra që panë filma të trishtë, studiuesit ekspozuan dhjetëra burra ndaj lotëve ose një lëngu të kripur. Ata nuk mund të bënin dallimin midis lëngjeve pasi të dy janë të tejdukshëm dhe pa erë.

Burrat më pas luajtën një lojë kompjuterike, e përdorur në studime të tjera mbi agresivitetin (në lojë ata mbledhin para, ndërsa kundërshtari në lojë përpiqet t’ia vjedhë). Pasi nuhatën lotët e grave, dëshira e burrave për t'u hakmarrë në lojë ra me 43.7%.

Këto rezultate janë të ngjashme me ato të studimit me brejtës, por ndryshe nga brejtësit, njerëzit nuk kanë një strukturë në hundë që zbulon sinjale kimike pa erë. Studiuesit hulumtuan më thellë duke studiuar 62 receptorë të nuhatjes, të cilët luajnë një rol kyç në shqisën e nuhatjes, duke zbuluar se katër aktivizoheshin nga lotët.

Dr. Minna Lyons, një psikologe e Universitetit John Moores në Liverpool, tha për Guardian se të dhënat janë "të jashtëzakonshme", por njerëzit nuk duhet të nxjerrin përfundime domethënëse.

“Në jetën reale, gjërat mund të zhvillohen ndryshe. Lotët si pasojë e dhunës në familje mund të bëjnë pak në reduktimin e agresivitetit të dhunuesit,” tha ajo. “Konteksti social i të qarit është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe unë dyshoj se reduktimi i agresivitetit është vetëm një nga funksionet e shumta të mundshme të lotëve."

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH