Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen e grantit me Këshillin e Europës në vlerën e mbi 37 milion euro për financimin e digjitalizimit të sistemit arsimor parauniversitar në tërësi.
Kjo reformë e nisur dy vite më parë, planifikon që deri në 2027 çdo shkollë të ndërlidhet me teknologjinë.
“Sot ky vit shkollor na gjen me 216 laboratorë të investuar nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare. Aktualisht 25 mijë fëmijë në klasë të parë, të dytë dhe të tretë bëjnë lëndën e teknologjisë së informacionit. Si dhe me fondet e dedikuara nga korniza për zhvillim e BE-së, Shqipëria do të investojë edhe në 600 laboratorë smart. Por ka edhe donacione të tjera, sic ka investuar 100 laboratorë Fondi Amerikan, e donatorë të tjerë që do të potencojë që cdo institucion arsimor të digjitalizohet me standarde bashkëkohore”, thotë Gert Janaqi, drejtor ASCAP .
Por fondet do të shfrytëzohen jo vetëm për investimin në laboratorë, por edhe përgatitjen e arsimtarëve me aftësi digjitale.
“Ne synojmë që rreth 16 mijë mësues të gjithë sistemit parauniversitar të trajnohen për kompetencën digjitale dhe përdorimin e teknologjisë. Përtej investimit në rrjet wireless, internet, ecet paralel me investimin në platforma digjitale në mësimdhënie, me rinovimin e TIK-ut dhe me trajnimin e mësuesve për ta përdorur teknologjinë apo inteligjencën artificiale edhe në funksion të lëndëve të tjera, si në biologjinë, kimi, matematikë apo në gjuhët e huaja”, shprehet Gert Janaqi, drejtor ASCAP.
Projeksioni i Ministrisë së Arsimit për të plotësuar me smart lab të gjithë shkollat e vendit, ka si qëllim edhe investimin në mirëmbajtje si dhe sigurinë në rrjet.
/ Top Channel