Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole prezantoi para anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektbuxhetin e këtij institucioni për vitin 2025, ku u ankua për mungesë fondesh.
Tole kërkoi mbështetje për një grup zërash të buxhetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve, të cilat, sipas tij, kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e komisionit. “Pikërisht atë kujdes dhe vëmendje që na keni dhënë sa herë kemi ardhur këtu dhe kemi diskutuar punën dhe veprimtarinë e institucionit”, tha Tole.
“E theksoj këtë gjë pasi mosplotësimi i këtyre kërkesave shtesë për vitin 2025 do të sjellë kufizim të projekteve shkencore, ngadalësi dhe vonesë në publikimin e kërkimeve dhe studimeve të reja, mundësi të kufizuara për të organizuar aktivitete të rëndësishme dhe sigurisht kufizime në mirëmbajtjen e zgjerimin e infrastrukturës së akademisë, e cila është e vjetër, e dëmtuar dhe e papërshtatshme për vijimin normal të punës”, nënvizoi Tole.
Zv.kryetari i ASHSH u shpreh se “sa i përket draftbuxhetit për vitin 2025 kemi mangësi në këto zëra: tre projekte albanologjike nga kërkesa jonë prej 82 milionë e 220 mijë lekë na janë aprovuar 60 milionë lekë dhe insistojmë në plotësimin e plotë të shumës së kërkuar të cilës i janë mangët 22 milionë e 220 mijë lekë”, tha Tole.
“Falë mbështetjes së deritanishme financiare nga buxheti i shtetit dy projektet e para “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” po shkojnë drejt finalizimit me sukses. Ka përfunduar shkrimi i dy volumeve të para të “Historisë së Shqiptarëve” që janë në proces redaktimi dhe ricensimi dhe në 22 nëntor, e shpallur “Dita e alfabetit të gjuhës shqipe”, ASHSH në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të paraqesë përmbylljen e fazës më të rëndësishme të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që është ajo e prezantimit të fjalësit të tij. Një demonstrim virtual i punës do të paraqesë sa volum i madh pune është bërë nga shkencëtarët e gjuhës për pasur një fjalor të madh të gjuhës sonë me 120 mijë fjalë”, nënvizoi Tole.
Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave tha se “ndërsa puna për këto mbështetje po shkon drejt finalizimit jemi në rritje të kërkesave tona buxhetore për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. Deri tani falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Artit të Kosovës redaksia qendrore, dy redaksitë vendore dhe 55 redaksi të fushave të ngritura në Shqipëri e Kosovë të mbështetur në një metodologji bashkëkohore dhe mbështetur në dhjetëra akte ndihmëse pas një pune jo te lehtë kemi ardhur në një fazë ku fjalësi me mijëra fjalë i “Enciklopedisë shqiptare” është gati dhe kërkohet financimi që për këtë vit në mënyrë që ASHSH përmes Qendrës së Botimeve Enciklopedike e ngritur posaçërisht pranë saj të nënshkruajë kontratë me autorët që do të hartojë zërat e saj. Bëhet fjalë për 600 shkencëtarë nga të gjitha fushat e shkencës që do të përfshihen në hartimin e zërave”.
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa theksoi në fjalën e saj se “ne nuk kemi qartësinë si komision që ju i shpenzoni këto para në mënyrë të drejtë dhe jo abuzuese. Ne sot kemi një kontroll auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që thotë të kundërtën. Doja të dija a i ka marrë në analizë ASHSH këto të dhëna nga KLSH dhe a ngarkohet ndokush me ndjekje penale?”.
Tole iu përgjigj se “kontrolli i parë nga KLSH lidhej me kontrollin financiar që është detyrim për të gjitha institucionet që të auditohen nga KLSH sa i përket përdorimit të parave publike dhe kontrolli i dytë pa përfunduar i pari ishte kontroll i performancës së projekteve kërkimore shkencore. Nga komunikimi që kemi me KLSH e kemi mirëkuptuar dhe konsideruar si një ndihmesë në punën tonë auditimin e financave publike dhe sesi ASH përdor financat publike. Ajo që them me përgjegjësi është që nuk ka dëm ekonomik ose persona të caktuar me përgjegjësi penale nga raporti i KLSH sa i përket kontrollit të auditit financiar. Aty ka gjetje konstatime, ka përmendje personash, të cilët duhet të përmirësojnë punën e tyre, por nuk ka deri në nivelin që ju e përmendët”.