Sociale

Brezi që do të ndërtojë të ardhmen e Shqipërisë përballë maktheve që la pas komunizmi

Shkruar nga Liberale

Brezi që do të ndërtojë të ardhmen e

Gjyshi i nënës sime ishte një intelektual antikomunist. I arrestuar në vitin 1944 dhe i dënuar me 24 vjet, vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1949 për shkak të torturave. Trupi i tij nuk iu dorëzua kurrë familjes dhe të gjitha dokumentet rreth tij u zhdukën. Gjyshja ime nuk e njohu kurrë babanë e saj dhe nuk e mësoi kurrë fatin e tij”. Për një vajzë 16-vjeçare, nxënëse e gjimnazit “Asim Vokshi”, komunizmi ishte një histori e trishtë e një të afërmi që nuk u ktjye më kurrë në shtëpi, një histori që e dëgjonte si fëmijë në vend të ninullës. Duke shmangur emocionet, ajo flet me qetësi teksa transmeton dhimbjen e gjyshes, tek një audiencë që ka prejardhje të ngjashme, ndonjëherë të vështira për t'u dalluar.

Një nga bashkëmoshatarët e saj kujton gjyshërit, të cilët ishin shkrimtarë, të frikësuar të shkruanin mendimet, idetë apo librat e tyre, në një kohë paranojë siç e quan ajo. “Ata më tregonin frikën e tyre, duke përshkruar plotësisht një ditë kur ish oficerët e sigurimit plaçkitën zyrën e gjyshit tim, duke kërkuar ndonjë dokument apo shënim që do t'i implikonte në ndonjë komplot antikomunist. Thuajse i humbi të gjitha punët e tij duke u përpjekur t'i fshihte dhe të shpëtonte veten dhe familjen e tij”, tregon Abi, një tjetër gjimnaziste 16-vjeçare.

Brezi që do të ndërtojë të ardhmen e

Ata ndanë historitë e tyre familjare gjatë një takimi letrar me Margo Rejmer, një shkrimtare polake e cila ka botuar librin “Balta më e ëmbël se mjalti- Zërat e Shqipërisë komuniste”, gjatë Festivalit të Letërsisë Europiane në Tiranë të organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Të interesuar për gjetjet e Rejmerit mbi historinë shqiptare, ata tregojnë se si e kuptojnë regjimin, ndjenjat e tyre të përziera për sigurinë, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe madje e pyesin atë për vlerat dhe kur ku janë njerëzit më të lumtur - atëherë apo tani? Pjesa e librit, që ajo ka zgjedhur të lexojë, u jep përgjigje shumicës së çështjeve.

“Dikur parajsa u krijua në shtetin socialist më të përsosur në botë. Aty ku gjithçka i përkiste të gjithëve dhe asgjë nuk i përkiste askujt. Aty ku të gjithë dinin të lexonin dhe të shkruanin, por ata mund të shkruanin vetëm atë që miratonin autoritetet, dhe mund të lexonin vetëm atë që miratonin autoritetet. Aty ku arsimi masiv ishte prioritet, por çdo pak vite kryheshin spastrime në elitë. Aty ku të gjithë kishin të drejtë të festonin përparimin dhe brohoritnin në parada publike, por të thuash një shaka do të thoshte të sfidoje fatin dhe autoritetet. Për këtë arsye qytetarët janë këshilluar që të ndihen të entuziazmuar dhe të lumtur…”, shkruan Rejmer.

Duke u përpjekur t'i shpjegojë një brezi të ri kompleksitetin e një sistemi diktature, ajo përmend konceptet e lirisë dhe disidencës dhe sesi disa mund të gjenin lirinë e brendshme në një vend të shtypur duke përmendur rastin e shkrimtarit Fatos Lubonja, i cili në libër paraqitet duke numëruar gjashtë qarqet nëpër të cilat kalonte një i burgosur në burg: rrënoja, izolim, uri, të ftohtë, dhimbje dhe dëshpërim. “E dija që një ditë do të shkruaja për gjithçka që ndodhi në burg. Mund të distancohesha nga vuajtja”, ka thënë ai.

Brezi që do të ndërtojë të ardhmen e

Krahas njerëzve që vuajtën kishte edhe njerëz që kujtonin një realitet tjetër. “Unë do të doja të ofroj një qasje të ndryshme ndaj komunizmit. Gjyshërit e mi ishin pjesë e Partisë Komuniste dhe gjyshi ishte oficer. Detyra e tij ishte të mbronte kufijtë, në qytete si Tropoja apo Kukësi. Mund të them që jetonin mirë në Shqipërinë komuniste”, thotë Ajla, një tjetër gjimnaziste.

Dhjetra shqiptarë u vranë në kufij duke u përpjekur t'i shpëtonin dënimeve, burgjeve dhe ekzekutimeve, por mungesa e lirisë dhe fuqia e propagandës kanë ndërtuar një narrativë zyrtare që ka qenë e vështirë të sfidohet edhe në tre dekada të pluralizmit politik. Margo Rejmer këshillon brezin e ri që të bëjë kërkimet e tyre duke krahasuar historitë familjare me historinë e vendit. “Duhet të pyesni gjyshërit tuaj për historitë tuaja familjare, sepse ata do të ikin një ditë dhe ju do të humbni një pjesë kaq të rëndësishme të biografisë dhe identitetit tuaj. Dhe atëherë do të gjeni të vërtetën tuaj sepse ato mund të kenë një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm, siç e shihni edhe këtu kemi transmetime që ishin të ndryshme nga njëra-tjetra, jo të ndërlidhura. Ju jeni brezi që do të ndërtoni të ardhmen e Shqipërisë, kështu që duhet të dini, dhe duhet të kuptoni, dhe mënyra më e mirë për të njohur dhe kuptuar, është të mbledhësh sa më shumë informacion të mundesh, nga familja dhe librat”, theksoi ajo.

Diskutimi vazhdon, duke shpjeguar konceptet e armikut, konceptin e biografisë së mirë/keq, dallimin mes propagandës dhe fakteve, jetën në izolim dhe tensionin mes lirisë dhe ndjenjës së sigurt. Të jesh patriot dhe të jesh kundër komunizmit mund të ishte e njëjta gjë, por regjimi komunist e konsideronte tradhti mendimin ndryshe nga Partia Komuniste që transmetonte urrejtje dhe barazonte gabimisht partinë me vendin.

Përgatiti: Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH