Të thurësh mendime, e për më tepër të merresh me artin bashkëkohor në bashkëkohësinë në të cilën jetojmë, është si të depërtosh të padukshmen dhe të kllapisësh të pamundurën. Në të vërtetë, duhet të theksojmë se arti bashkëkohor i jep përparësi konceptit të estetikës (filozofisë), zbulimit të vlerës artistike si tingull shqisor, ndjesisë dhe ndjeshmërisë së materies për të konkretizuar idenë e artistit.
Në këtë këndvështrim Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit i jap përparësi jo vetëm konceptit të estetikës bashkëkohore me përcjelljen e mesazheve filozofike, por kërkon që nëpërmjet artistëve të artit bashkëkohor të sjell në Durrës antropologjinë dhe fenomenologjinë e realiteteve kulturore të vendeve nga ata vijnë. Kjo qasje e estetikës bashkëkohore na dëshmon se materia shndërrohet në vetë trupin e veprës artistike, e kësisoj, ajo nuk është më vetëm shëmbëlltyra fiziologjike e artistit krijues, por sfida për t’i rezistuar përparimit të një pranie të re, siç është inteligjenca artificiale në bashkëkohësinë tonë.
Një ekspozitë e përdyvitshme ndërkombëtare në lëmin e artit pamor dhe ky vit është edicioni i parë i saj, e cila ka si qëllim shpërfaqjen dhe spikatjen e vlerave artistike të së tashmes tonë nëpërmjet qasjes konceptuale dhe filozofike të artistëve bashkëkohor mbi temën: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.
Një reflektim mbi të tashmen teknologjike dhe sesi ky përparim i vrullshëm teknologjik ndikon në gjithëformimin dhe në gjithëbërjen e jetës së njeriut bashkëkohor.
Shpikja e inteligjencës artificiale shënon një pikë kthese, jo vetëm për mbijetesën e artistit bashkëkohor në tërësinë e tij, por edhe për qasjen e galerive të cilat tashmë veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me një metodologji të përditësuar për ekspozimin dhe shitblerjen e veprës artistike.
Pjesë e pandarë e këtij revolucioni që ka lëkundur themelet e njerëzimit, është edhe kuratori, duke përplotësuar kësisoj trinomin artist-kurator-galeri, ku roli i kuratorit nuk është më siç u konceptua që në fillesat e tij, por një figurë themelore e vendimmarrëse për mirëoragnizimin dhe largpamësinë për t’iu përshtatur rregullave të reja të diktuara nga IA-ja.
Shfaqja e makinerive të të menduarit dhe potencialisht të ndërgjegjshme ripërcakton konceptin e qenies në raport me kohë-hapësirën dhe mbi të gjitha, kufijtë tanë të të menduarit deri më tani, duke na shtyrë të rishikojmë idetë tona rreth ndërgjegjes, identitetit, përkatësisë, antropologjisë, filozofisë dhe metafizikës. Përballë këtij realiteti të ri, artisti bashkëkohor nuk duhet të “dorëzohet” me mendimin se tashmë është “zëvendësuar” nga IA-ja, pëkundrazi, ai ka për detyrë të përshtatë dhe të zhvillojë modele të reja ontologjike dhe hulumtuese, për sa i përket estetikës artificiale, të cilat mund të na udhëheqin në lundrimin tonë në këtë botë me zhvillim të pandalshëm.
IA-ja i jep artistit dhe artit bashkëkohor mundësinë për të rimenduar metafizikën dhe për të zbuluar kufij të rinj të dijes, duke i përballur ata me sfida të panjohura më parë, por edhe me zhdërvjelltësi të reja teknike plot befasi dhe emocione.
Ndaj Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohore të Durrësit kërkon, jo vetëm të bëjë bashkë qasje filozofike, konceptuale, antropologjike, semiotike dhe artistë nga kombe të ndryshme, por mbi të gjitha kërkon të hulumtojë të pakdukshmen metafizike, atë që vetëm inteligjenca artificiale mund ta depërtojë e për rrjedhojë ta parashikojë, duke vendosur në teh të mëdyshjes të ardhmen hibride të njerëzimit.
Artistët janë pararoja e çdo zhvillimi shoqëror dhe sistemi politik e si të atillë ata me largpamësinë e tyre nuk mund të qendrojnë të heshtur mënjëanë karshi këtij fenomeni që e shpien njerëzimin përpara: “Inteligjencën artificiale”, e cila njëkohësisht përpos gjithëpërfshirjes zhvillimore, rrezikon thelbësisht ekzistencën e vetë qenies njerëzore dhe gjallesave të tjera që popullojnë planetin Tokë, duke i dhënë mundësinë të panjohurës me të “ardhmen hibride”, për rikrijimin në zanafillë të një jete, të një përmase dhe të një ekzistence të re.
Kjo si për të thënë dhe për të dëshmuar nëpërmjet veprave të artit bashkëkohor shëmbëllimin e bashkëkohësinë tonë në të cilën jetojmë dhe të pa qenën që na pret për të ardhmen e pajetuar.
Në këtë edicion të parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit marrin pjesë 16 kombe dhe 39 artistë si: Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë (Artiol Izri, Bujar Luca (fitues i çmimit të karrierës në artin e pikturës), Elio Bajramaj, Erisa Bekteshi, Harri Aleksi, Jonida Xherri, Marsel Zara, Qazim Kërtusha, Rubin Mandija, Sadik Spahija (fitues i çmimit të karrierës në artin e skulpturës), Senad Xhexhovi); Pavijoni Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Gregory de la Haba & [dNASAb] (fitues të çmimit të madh për pavijonin më të mirë kombëtar të Bienales së Durrësit 2024); Pavijoni Kombëtar i Argjentinës (Joaquín Fargas); Pavijoni Kombëtar i Bregut të Fildishtë (Valerie Oka); Pavijoni Kombëtar i Finlandës (Hannu Palosuo); Pavijoni Kombëtar i Gjermanisë (Claudia van Hasselt & Nicolas Wiese); Pavijoni Kombëtar i Italisë (Arturo Casanova, Enrico Dedin, Fabrizio Passarella, Michele Stanzione, Oliviero Rainaldi (fitues i çmimit të karrierës në artin e skulpturës), Rosa Mundi); Pavijoni Kombëtar i Kinës (Lai Junjie (fitues i çmimit të madh special për artistin e ri më të mirë të Bienales së Durrësit 2024), Liu Ruowang, Zeng Yi fitues i çmimit të karrierës në artin e fotografisë artistike); Pavijoni Kombëtar i Kosovës (Eshref Qahili); Pavijoni Kombëtar i Maqedonisë së Veriut (Monika Moteska dhe Robert Jankuloski); Pavijoni Kombëtar i Perusë (Antonio Paucar); Pavijoni Kombëtar i Republikës Dominikane (Victoria Thomen); Pavijoni Kombëtar i Rumanisë (Maria Bordeanu); Pavijoni Kombëtar i Turqisë (Kemal Kahveci, Sibel Akataş); Pavijoni Kombëtar i Suedisë (Alice Wexell dhe Ryan Koopmans); Pavilioni Kombëtar i Zvicrës (Andreas Luthi) dhe një artist i ftuar special Mu Tuan.
ROSANNA DE CICCO
Kuratore e artit bashkëkohor