Vetëm 10 muaj pas Kongresit të Manastirit, më 2-9 shtator 1909, një tjetër kongres kombëtar, i përmasave të njëjta për nga rëndësia, pjesëmarrja dhe vendimet, u mbajt në Elbasan, i njohur si "Kongresi i Elbasanit" apo "Kongresi i Shkollave Shqipe".
Kanë qenë të shumta mesazhet në këtë ditë historike. Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, tha se Kongresi i Elbasanit "hodhi hapat më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit kombëtar."
Në Kongresin Kombëtar të Elbasanit morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati etj. Nuk mundën të dërgonin delegatë Vlora dhe Shkodra, për shkak të presionit të xhonturqve, si dhe vilajeti i Kosovës, për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore, që përkrahte alfabetin arab. Përsa i përket klubit të Shkupit, ai ngarkoi si përfaqësues të vetin Mit-hat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan se do t'i njihnin vendimet e këtij Kongresi.
Mes delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, mësues atdhetarë, si Mithat Frashëri, Dom Nikollë Kaçori, Dervish bej Biçaku, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karaosmani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhiademi, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj. Vlen të theksohet këtu edhe roli i rëndësishëm i Lef Nosi në përgatitjen e këtij kongresi.
Kongresi me votë të fshehtë zgjodhi drejtuesit, Kryetar Dervish Biçakçiun, nënkryetar Mit'hat Frashërin. Sekretarë u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.
Në Kongres u shqyrtuan tri çështje kryesore: hapja e një shkolle pedagogjike; krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, organizimin dhe financimin e shkollave shqipe; bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit, Rezoluta me 15 nene, u nënshkrua nga gjithë delegatët.
Një nga pikat më të rëndësishme të saj ishte hapja në Elbasan e shkollës Normale, e cila do të përgatiste mësues për shkollat shqipe, që do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
Kongresit shënoi themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri dhe një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe.
Vendimet e këtij kongresi patën rëndësi të madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe përhapjen e arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.
Mbajtja e Kongresit të Elbasanit dhe vendimet e tij patën një jehonë të madhe brenda e jashtë vendit. Mjafton të përmendim gazetën "Journal de Geneve" të Zvicrës në të cilën shkruhej: "Në kongresin e shqiptarëve që u mbajt në Elbasan, u vendos organizimi i shkollave me themel gjuhën shqipe".