Qeveria do të japë 150 euro bonus mbi pensionet deri në 20 mijë Lekë ose trefishim i bonusit tradicional si dhe 100 euro bonus për pensionet mbi 20 mijë Lekë ose dyfishim i bonusit tradicional.
Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet pr/buxheti 2025, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla konfirmoi se, “ne do të shpërndajmë 100 milionë euro për bonusin e pensionistit.
Duke folur për borxhin publik, Balla u shpreh se, borxhi publik ka zbritur në 55.8% nga 70.4% që ishte në 2013-ën.
“Borxhi ka zbritur. Na e latë 70.4%, e kemi çuar 55.8%, do ta çojmë në 45.5%. Çdo qytetari shqiptar i kemi zvogëluar borxhin publik që i kishit lënë ju.”
Dhe po ashtu, shtoi Balla, “kemi marrë angazhimin që kjo të kthehet në një politikë e vazhdueshme për të kuruar sadopak nevojën që pensionistët kanë edhe me një bonus në pranverë”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës ai tha se, “ju jeni fati ynë më i madh se sa herë që ju dilni kundër një gjëje ajo gjëja rezulton të jetë gjëja e duhur për Shqipërinë. Dolët kundër reformës në drejtësi, ja ku jemi sot. Dolët, nuk latë rrugë, nuk latë park, nuk latë hekurudhë, nuk latë kënd lojërash, nuk latë shkollë, nuk latë stadium, nuk latë teatër pa dalë kundra”.
Duke folur për eksportet e bujqësisë, Balla tha se, në vitin 2013 eksportet e bujqësisë ishin 120 milionë euro, ndërsa shtoi ai, në 2023-in eksportet në bujqësi janë 550 milionë euro. Ai tha se rritja e eksporteve në bujqësi është 4.5 herë më e madhe nga 2013-a në 2023-in.
Balla gjithashtu shtoi se është rritur konsumi me disa fish, pasi është shtuar numri i turistëve që vizitojnë vendin tonë.
“Sot ke 12 milionë turistë këtë vit. Natyrshëm është rritur konsumi. Është rritur konsumi prandaj ka një rritje dhe të nivelit të importeve, edhe në mallra bujqësore se Shqipëria jonë kaq është”, tha Balla.