Politikë

VËZHGIM/ PS në mbyllje të mandatit të tretë, gratë e qeverisë “Rama” në ‘barazpeshë’ ideale me burrat!

Shkruar nga Liberale

VËZHGIM/ PS në mbyllje të mandatit të tretë, gratë

Qeveria “Rama” e cila është në vitin e fundit të mandatit të tretë përbëhet nga kryeministri dhe 17 ministra, mes të cilëve edhe një zv. kryeministre. Është ndoshta qeveria e vetme në botë, që mban një ekuilibër të plotë të barazisë gjinore, pra 50:50. Qeveria Rama përbëhet nga 8 ministre femra, si më poshtë:   

VËZHGIM/ PS në mbyllje të mandatit të tretë, gratë

BELINDA BALLUKU

Zëvendëskryeministër, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Belinda Balluku është zëvendës-kryeministër prej korrik 2022 dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Balluku është zgjedhur Deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Qarkun e Tiranës. Para emërimit në detyrë si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbajtur nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL, sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

Balluku ka një experience të gjerë edhe në fushën e telekomunikacionit, e cila ka nisur në nëntor të vitit 2000, menjëherë pas privatizimit të kompanisë më të madhe shtetërore të telefonisë celulare AMC, sot ONE Telecommunications. Znj. Balluku ka mbajtur pozicione të larta drejtuese, fillimisht si drejtore e Kujdesit ndaj Klientit, ku dhe krijoi për herë të parë në Shqipëri shërbimin e Call Center, dhe më pas drejtore e Marketingut. Gjatë kësaj periudhe dinamike për kompaninë AMC, znj Balluku ka qenë pjesë e bordit vendimmarrës.

Në vitin 2004, Balluku i është bashkuar stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka udhëhequr zhvillimin e strategjive të komunikimit me publikun dhe mediat. Ajo ka qenë pjesë aktive për krijimin e ndërfaqes së pritjes së popullit dhe ka menaxhuar më pas me sukses koordinimin mes kryetarit dhe drejtorive ekzekutive të Bashkisë së Tiranës. Prej vitit 2006, Balluku ka qenë pjesë vitale e Partisë Socialiste. Ajo ka marrë pjesë në shtabet elektorale, ka organizuar evente të rëndësishme politike dhe ka drejtuar kabinetin e Kryetarit gjatë periudhës janar 2011-janar 2012. Përgjegjësia sociale është një fushë ku Balluku ka dhënë në vazhdimësi kontributin e saj duke qenë e pranishme përmes projekteve dhe nismave komunitare.

ADEA PIRDENI

Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e Zëvendësministres, Znj. Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.

Prej vitit 2008, Pirdeni është angazhuar si lektore me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës së BE-së dhe të Drejtës Administrative. Fushat e saj kryesore kërkimore janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi.

Pirdeni ka eksperiencë disavjeçare si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, dhe Shkollës së Avokatisë. Ka shërbyer edhe si eksperte ligjore në një numër projektesh me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, me fokus në përmirësimin e performancës institucionale të administratës publike, luftën kundër korrupsionit, përafrimin e legjislacionit në kuadër të integrimit evropian. Pirdeni mban titullin Master në të Drejtë Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, titullin Magister Juris (MJur) me fokus të Drejtën Evropiane dhe të Drejtën Publike nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit. Prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike”.

OGERTA MANASTIRLIU

Ministër i Arsimit dhe Sportit

Ogerta Manastirliu është lindur më 31 dhjetor 1978, në qytetin e Tiranës. Prej muajit shtator 2023 ajo mban postin e Ministres së Arsimit dhe Sportit.

Manastirliu mban titullin “Doktor i Shkencave”, në “Kimi Analitike dhe Mjedis”. Ajo ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Përgjithshme, ku është diplomuar dhe ka marrë titullin “Master në Shkencë”, në po të njëjtën degë. Ka qenë e angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Manastirliu ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në periudhën  2017- 2023. Në vitin 2004 ka nisur karrierën profesionale në Bashkinë e Tiranës, fillimisht në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve. Gjatë viteve 2005-2011, ka drejtuar Drejtorinë e Strehimit dhe Shërbimit Social. Në këtë detyrë, znj. Manastirliu ka qenë një nga kontribueset kryesore në hartimin dhe vënien në zbatim të “Strategjisë Lokale të Strehimit Social”.

Në periudhën 2011-2013, ajo është angazhuar si eksperte për menaxhimin dhe koordinimin e politikave sociale dhe burimeve njerëzore për organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si UNFPA, Friedrich Ebert Stiftung etj.

Në periudhën shtator 2013 – mars 2017, znj. Manastirliu ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.Prej vitit 2017 është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, si deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 është zgjedhur deputete e Qarkut të Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.

ALBANA KOÇIU

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Albana Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, Albana Koçiu mban postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përpara kësaj detyre, Znj. Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike, – institucion në varësi të Kryeministrisë, – që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).

Koçiu ka në tërësi një eksperiencë mbi 20-vjeçare në menaxhim, në pozicione drejtuese në administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe të shërbimeve sociale.  Koçiu ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sociale (1996-2000), në Universitetin e Tiranës. Ajo ka vazhduar duke dhënë kontributin e saj akademik si Profesor i Asociiuar që prej vitit 2010 deri në vitin 2022 pranë Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

në vitin 2001, Koçiu iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, si drejtore e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Në vijim, ajo ka mbuluar edhe detyra të tjera të rëndësishme si Drejtore e Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve gjatë periudhës 2007-2008, dhe si Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme së Menaxhimit të Shërbimeve gjatë periudhës 2008-2011.

ANILA DENAJ

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Anila Denaj është lindur më 18 shtator 1973, në Tiranë. Që prej shtatorit 2023 ajo mban postin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ajo është diplomuar për Financë dhe Menaxhim Bankar në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik dhe vjen me një përvojë të gjatë pune, si në sektorin bankar privat, ashtu edhe në sektorin publik. Në eksperiencën e saj 28 vjeçare përfshihet një periudhë e konsiderueshme në fushën e konsulencës ndërkombëtare. Më parë, Denaj ka kryer funksionin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë.  Denaj ka qenë Zëvendës Drejtuese e Ekipit për Mbështetjen e Agrobiznesit Shqiptar (AASF) – mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe BERZH. Më herët ajo ka shërbyer si eksperte e jashtme për Fondacionin e Garancisë së Kredisë Rurale (RCGF) –mbështetur nga KFW.

Znj. Denaj, është një ish-bankiere me mbi 18 vite përvojë në këtë sektor. Ajo ka punuar si këshilltare financiare ndërkombëtare për 12 vjet në ProCredit Holding GmbH / IPC Consulting Gmbh, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në bankat e ProCredit Group në Salvador, Bolivi, Ekuador, Rumani dhe Mozambik. Në Shqipëri ka mbajtur postin e anëtarit të bordit drejtues të Bankës Procredit dhe më herët të Zëvendës Drejtoreshës së Përgjithshme të Procredit Bank. Në vitin 2014, ajo ka mbajtur pozicionin e Drejtores së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

VËZHGIM/ PS në mbyllje të mandatit të tretë, gratë

DELINA IBRAHIMAJ

Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Znj. Delina Ibrahimaj është lindur në Tiranë, më 23.12.1983. Që prej muajit shtator 2023 ajo mban detyrën e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Përpara kësaj detyre, Znj. Ibrahimaj ka shërbyer si Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Në nëntor 2012 ka marrë titullin Doktor (PhD) në Bankë dhe Financë nga Universiteti i Romës, Tor Vergata– Romë, Itali. Në dhjetor të vitit 2009 ka marrë titullin Master i shkencave për Menaxhim të Përgjithshëm nga Universiteti “Luigi Bocconi”– Milano, Itali dhe Bachelor në Menaxhim dhe Ekonominë Ndërkombëtare në të njëjtin universitet.

Ibrahimaj ka kryer një sërë trajnimesh si programi i trajnimit të trajnerëve, zhvilluar në periudhën mars – qershor 2016 dhe trajner në fushën e Antikorrupsionit dhe Mirëqeverisjes, trajnim i organizuar nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, qeverisë italiane të Administratës Publike në kuadër të projektit “Mbështetje e masave antikorrupsion në Shqipëri”. Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në 2019 e në vijim ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, në 2016-2019 ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave dhe në 2015-2016 koordinator për Çështjet Financiare dhe Ekonomike, anëtare e sallës operacionale në Kryeministri. Në periudhën 2011-2015 ka kryer detyrën e ekonomistes pranë Bankës së Shqipërisë si dhe anëtare e Bordit, Zyrtar i Lartë Financiar në Tirana Ekspres, Tiranë Shqipëri.

MAJLINDA DHUKA

Ministër Shteti dhe Kryenegociator

Znj. Majlinda Dhuka është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, si dhe mban diplomën “Master në Studime Evropiane”. Ajo ka kryer edhe disa studime pasuniversitare dhe trajnime, brenda dhe jashtë vendit, në të drejtë publike të Bashkimit Evropian, në Qendrën e së Drejtës Publike Evropiane (European Public Law Center) e në Universitetin e Athinës; marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci, si dhe lidership, inovacion dhe qeverisje ekonomike në Shkollën për Qeverisje John F. Kennedy (John F. Kennedy School of Government) në Universitetin e Harvardit.

Znj. Dhuka ka kryer disa funksione drejtuese si nëpunëse civile në drejtori dhe departamente si të legjislacionit; zhvillimit dhe planifikimit strategjik në Bashkinë e Tiranës, si dhe në bashkëpunimin për zhvillim dhe ndihmën e huaj; programimin e zhvillimit – planifikimin strategjik; mirëqeverisjen dhe politikën publike, në Kryeministri. Gjithashtu, ajo ka luajtur rolin e Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Dhuka ka kontribuar edhe në fushën akademike, si lektore në shkollën e Magjistraturës, si dhe në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës etj. Është njohëse e disa gjuhëve të huaja.

MIRELA KUMBARO

Ministër i Turizmit dhe Mjedisit

Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo shërben si Ministër i Turizmit dhe Mjedisit.  Mban titullin Profesore e Asociuar që prej vitit 2012, në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve ndërkulturore, pasi kishte fituar më parë titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore, pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2009.

Znj. Kumbaro ka kryer studimet pasuniversitare dhe ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Kumbaro ka mbaruar studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në fushën e qytetërimit dhe letrave frënge, në vitin 1988.

Mirela Kumbaro është me profesion pedagoge, përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare në projekte akademike, në programet kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, Këshilli i Evropës. Ajo vjen nga një karrierë e gjatë akademike dhe nga një angazhim aktiv në shoqërinë civile, ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale.

Në vitin 2013 emërohet ministre e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ajo u zgjodh deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Gjirokastrës.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 fiton mandatin e 2-të si deputete e Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për Qarkun e Gjirokastrës.

Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

BORA MUZHAQI

Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

Znj. Bora Muzhaqi, që prej shtatorit 2021 mban detyrën e ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Gjatë periudhës maj-shtator 2021 mbante detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në periudhën janar 2019 deri mars 2021 ka qenë këshilltare e Jashtme pranë ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe anëtare e Komisionit për Rregullimin dhe Mbikëqyrjen nga shtatori 2020 e në vazhdim.

Në periudhën janar 2017 deri në janar 2019 ka qenë konsulente taksash në “EY”, Tiranë, Shqipëri, dhe nga dhjetori 2013 deri në janar 2017 ka mbajtur të njëjtën detyrë në “PwC”, Tiranë, Shqipëri. Gjithashtu, ka qenë analiste kompensimesh në Departamentin e Burimeve Njerëzore, në Citybank, Londër, Mbretëria e Bashkuar, në qershor – gusht 2011, dhe analiste integrimi në BE në korrik 2010 në Ministrinë e Mbrojtjes, në Drejtorinë e Integrimit në BE.

Ka mbaruar studimet BSc Economics në “London School of Economics and Political Science” (Londër, Mbretëria e Bashkuar), “Second Class Honours” në vitin 2012 dhe në “HULT International Business School” (Londër, Mbretëria e Bashkuar), Master në Biznes Ndërkombëtar, Bursa e Liderëve të Ardhshëm në vitin 2013.

VËZHGIM/ PS në mbyllje të mandatit të tretë, gratë

Përgatiti: a.m/ Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH