Politikë

Vrasja e 14-vjeçarit bëhet ‘mollë sherri’ në Kuvend/ Zhupa - Manastirliut: Rezultat i punës tënde të mrekullueshme!

Shkruar nga Liberale

Vrasja e 14-vjeçarit bëhet ‘mollë sherri’ në

Krimi i ndodhur sot në Tiranë, me vrasjen e një 14-vjeçari pas përleshjes mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, është bërë objekt edhe i debateve dhe përplasjeve parlamentare në Kuvend.

E para ka qenë deputetja e PD, Ina Zhupa, që e nisi fjalën e saj duke folur për ngjarjen tragjike dhe duke vënë në pikëpyetje sigurinë në shkolla, teksa në sallë diskutohej buxheti i shtetit. Teksa Zhupa u shpreh se “ky ishte rezultati i sigurisë në shkolla dhe buxhetit të mazhorancës”, ka ardhur edhe përgjigjja nga ana e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, që shprehu keqardhjen, duke kërkuar që edhe në Kuvend të ndalet gjuha e urrejtjes dhe të promovohen vlerat.

Debati në Kuvend, për vrasjen e 14-vjeçarit:

Ina Zhupa: Një 14-vjecar është vrarë para derës së shkollës “Fan Noli”. E kuptoni sa jashtë realitetit është buxheti juaj që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla? Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetë propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe Ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu. Është rritur siguria në shkolla thotë Manastirliu. Ky është rezultat i punës tënde të mrekullueshme dhe e buxhetit tuaj të mrekullueshëm. Duhet të mbani përgjegjësi bashkë me këtë ministrin e brendshëm, që nuk ka ardhur fare sot!

Ogerta Manastirliu: Jam e tronditur nga humbja e jetës së një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes. Dhimbja është vërtetë e madhe. Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. Na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë, duke luftuar dhunën e të gjitha formave. Edhe ne kemi rolin tonë në këto seanca. Të jemi shembull të mos promovojmë gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit dhe të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH