Politikë

Viti 2024, sfidat që presin politikën shqiptare!

Shkruar nga Liberale

Viti 2024, sfidat që presin politikën shqiptare!

Viti 2023 duket se po mbyllet në mënyrë të trazuar për politikën shqiptare. Parlamenti ka kapur kulmin e trazirave, ku prej afro dy muajsh opozita ka bllokuar punën normale. Deputetët kanë ndezur flakadanët dhe kanë bllokuar foltoren, duke bërë që mazhoranca të kalojë çdo ligj me shpejtësi.

Por viti 2024 duket se do të jetë sfidues, për opozitën në veçanti. Sali Berisha u vendos në arrest shtëpie, duke lënë mes katër rrugëve mbështetësit e tij. Edhe pse rezistoi në fillim, Berisha dje u izolua dhe tani nuk dihet se si do të veprojë opozita.

Edhe pse ai do ta drejtojë përmes telefonit, Berisha nuk mund të jetë në Parlament, po ashtu nuk mund të jetë në ballë të protestave. Sot një grup i vogël mbështetësish i shkuan poshtë banesës, teksa është lënë në baltë dhe nga grupi i Bardhit, të cilët përveç reagimeve në rrjetet sociale, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap tjetër.

Izolimi i tij krijon një çarje më të madhe në opozitë. Lulzim Basha po i sheh nga larg ngjarjet dhe po pret dënimin final të Berishës. Por PD vijon të jetë e çarë dhe viti 2024 është sfidë për ta, pasi nëse nuk bashkohen, në pranverën e 2025 do pësojnë humbje drastike në zgjedhje.

Sa i takon PS-së, Rama do të duhet të përballet me SPAK. Prokuroria këtë vit pritet të dërgojë pas hekurave dhe të hapë dosjet për shumë emra në radhët e qeverisë. Teksa opozita është inegzistente, Rama lufton për të ruajtur imazhin e tij para zgjedhjeve të 2025.

Po ashtu në vitin 2024 priten ndryshime në qeveri. Me shumë mundësi pranvera do sjellë rifreskim të kabinetit. Po ashtu Rama do të duhet të shmangë pakënaqësitë, pasi shumë emra nuk janë të kënaqur me mënyrën se si po ecën qeveria.

Lidhur me Kuvendin, do të duhet një konsensus politik për disa ligje që presin 84 vota. Reforma zgjedhore ka ngecur dhe tani do të shihet si do veprohet. Dje kryeministri Rama, tha se do luftojë për të siguruar votat dhe jo konsensusin. Po ashtu ka mbetur i bllokuar ligji i amnistisë penale dhe ai për pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses. Të gjitha duan konsenus.

Viti 2024 duket se do të jetë viti i arrestimeve të mëdha. Emra si Ilir Beqaj, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Frida Krifca, Olta Xhaçka dhe shumë të tjerë janë në pritje të veprimeve të SPAK. Pra 2024 duket se do të jetë një vit i vrullshëm në aspektin politik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH