Politikë

VETËVENDOSJE përshëndet propozimin e Bashës, thirrje politikës së Tiranës, “koha të bëhemi bashkë për interesin kombëtar”  

Shkruar nga Liberale

VETËVENDOSJE përshëndet propozimin e Bashës, thirrje

Vetëvendosje ka reaguar për herë të parë lidhur me propozimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar atë një rast të mirë për klasën politike që të bëhet bashkë. Po ashtu, në deklaratën e përfaqësuesit të Vetëvendosjes në Tiranë, i bëhet thirrje qeverisë që të pranojë propozimin e kryetarit të Opozitës.

Arbër Zaimi, këshilltar i qeverisë së Albin Kurtit, përmes një postimi në Facebook, ka përshëndetur propozimin e Lulzim Bashës, për të ndarë nga buxheti i Shqipërisë 50 milion euro, me qëllim për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

Ndryshe nga qeveria, që në buxhetin e vitit 2024 prej mbi 7 miliard euro, nuk kishte parashikuar asnjë qindarkë për sigurinë e shtetit tjetër që përbën gati gjysmën e kombit me Shqipërinë, tashmë pas propozimit patriotik të Bashës, maxhoranca është e detyruar t’i përgjigjet me votë.

Në të kundërt, do të ngrejë dyshime se nuk e ka marrë seriozisht Kosovën dhe çështjen tonë kombëtare, sikurse kryetari i Partisë Demokratike.

Postimi i plotë i Arbër Zaimit:   

Është e qartë se politika parlamentare në Shqipëri prej kohësh ka polarizim ekstrem. Fatkeqësisht ky polarizim është tejkaluar rrallë, vetëm kur ka patur presion ndërkombëtar, gjë që nuk ka rezultuar gjithmonë pozitive për të gjitha palët vendase.

Por palët do të duhet hera herës të bëhen bashkë - përtej urrejtjes që kanë për njëri-tjetrin e pavarësisht asaj - edhe për interesin kombëtar, gjë që do t’ua rriste hapësirën e veprimit dhe sovranitetin.

Një rast shumë i mirë për t’u bërë bashkë, është propozimi i Lulzim Bashës për t’i ndarë nga buxheti i Shqipërisë 50 milion euro për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

Natyrisht kjo kërkon mbështetje edhe të mazhorancës, edhe të pjesëve të tjera të opozitës.

Nëse kjo miratohet, do të jetë veprimi më strategjik që politika shqiptare mund të marrë në vitin 2024.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH