Politikë

“Vendimi u ndikua nga Rama, Basha dhe Veliaj”/Lulzim Basha i përgjigjet Berishës: Ngre pretendime imagjinare ndaj meje sepse...

Shkruar nga Liberale

“Vendimi u ndikua nga Rama, Basha dhe Veliaj”/Lulzim Basha i

Ish-kreu i Partisë Demokratike ka reaguar pasi Sali Berisha hodhi akuza se vendimi i Gjykatës së Apelit në Londër për lënien në fuqi të shpalljes non grata nga Britania e Madhe u ndikua nga deklaratat, sipas tij, “të kundershtarëve të mi politikë Rama, Basha, Veliaj”.

Lulzim Basha shprehet se Sali Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj tij pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.


“Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh”, theksoi Basha, duke shtuar se kryetarit të PD-së i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe të familjarëve.

Ai hodhi akuza se Berisha është në të njëjtin pazar me kryeministrin Edi Rama.

“Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund”, theksoi Basha.

Reagimi i Bashës:

Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.

Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Ramën, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.

Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në.

Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.

Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.

Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim.

Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund.

Shqiptarët meritojnë më shumë!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH