Politikë

U arrestua për lidhje me grupet kriminale/ Apeli i GJKKO merr vendimin për ish-deputetin Jurgis Çyrbja

Shkruar nga Liberale

U arrestua për lidhje me grupet kriminale/ Apeli i GJKKO merr vendimin

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-deputetin e PS Jurgis Çyrbja, i arrestuar për lidhje me grupet kriminale.

Po ashtu me të njëjtën masë sigurie është lënë edhe Ahmet Masha, i cili edhe ky u vu në pranga në operacionin ku u arrestua ish deputeti socialist. Masha është kunati i vëllait të ish deputetit Çyrbja.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 18.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 59 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.Ç. dhe A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 126, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 129, datë 22.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 126 akti, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.Ç. dhe A.M.”, thotë gjykata.

Ish-deputeti soacialist, sipas SPAK, është futur në listën e sigurt të PS-së përmes ndikimeve të krimit të organizuar, dhe më pas ka favorizuar Altin Hajrin – një person i shumëkërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës – dhe anëtarë të grupit kriminal Farruku. Ky favorizim ka pasur për qëllim shmangien e ndjekjeve nga autoritetet dhe mbështetje për ata që ishin në kërkim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH