Politikë

“Tregues i ngjitjes së madhe shqiptare"/ Rama e konsideron të mirëmenduar uljen e parë të çmimit të energjisë në 35 vjet

Shkruar nga Liberale
“Tregues i ngjitjes së madhe shqiptare"/ Rama e konsideron

Kryeministri Edi Rama është shprehur se ulja e parë në 35 vjet e çmimit të energjisë elektrike, ka qenë një vendim i mirëmenduar, i cili do të lehtësojë konsumatorët familjarë, të cilët shpenzojnë deri në 700 kW.

Gjatë një konference për shtyp, Rama theksoi se diçka e tillë e mbush me krenari dhe kjo ulje, është tregues i ngjitjes së madhe shqiptare, pasi kishte rënë në një humnerë.

“Ulja është në kundërtendencë të plotë me rajonin e kontinentin ku jetojmë ku çmimet e energjisë jo vetëm janë rritur por dhe janë të kërcënuar nga rritje të tjera”, thksoi Rama.

Ai garantoi se kjo masë është tërësisht e mirëmenduar dhe mbështetur në ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare.

Enti Rregullator i Energjisë (ERE), gjatë mbledhjes së kësaj të mërkure të 8 janarit, ka miratuar çmimet e reja të energjisë.

Çmimi i energjisë ulet në 8.5 lekë deri në 31 dhjetor 2025 për familjarët që konsumojnë deri në 700 kilovat.

Kurse në 9.5 lekë mbetet çmimi i energjisë elektrike për diferencën mbi 700 kilovat.

Vendimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2025 deri në 31 dhjetor 2025.

Më herët, qeveria ka njoftuar se po punohej për një ulje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët për periudhën 1 shkurt-31dhjetor 2025.

U tha se procesi ishte në analizë dhe se po optimizohen proceset teknike për të ofruar një çmim më të mirë për qytetarët në vitin 2025.

Ulja e çmimit të energjisë elektrike është premtuar nga kryeministri Edi Rama gjatë vitit 2024 gjatë takimeve me pensionistët, dhe që pritej të kishte një vendimmarrja prej 1 janarit të këtij viti që ka nisur.

Familjet shqiptare aktualisht paguajnë energjinë 9.5 lekë për kilovat pa TVSH ose 11.4 lekë me TVSH.

Kreu i Qeverisë ka bërë gjithashtu edhe një bilanc, duke përmendur faktin se si Shqipëria është kthyer në lidere rajonale për prodhimin e energjisë diellore, apo edhe për konsumin e energjisë.

“Shqipëria sot, falë masave që kemi marrë, është prodhues i madh energjie, më i madhi në rajon. Shqipëria 10 përqind të energjisë e merr nga dielli”, përmendi ai.

Duke bërë një paralelizëm, ai shpjegoi se si në vitin 2019, gjatë natës së vitit të ri janë shpenzuar 21 milionë kilovat energji. Ndërsa, sot, 22 milionë kilovat është një normë ditore.

Për Ramën ky është një tregues i qartë se ekonomia shqiptare është rritur dhe edhe konsumatorët e thjeshtë po shpenzojnë më shumë energji për nevojat e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH