Gjirokastra ishte takimi i radhës i Sali Berishës me demokratët. Në një takim me qytetarët, Berisha kërkoi bashkimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar qoftë edhe një ditë për kampin blu.
“Çdo demokrate e demokrat, që ka vendosur një tullë në këtë ndërtesë, ajo tullë do të respektohet atij, ajo djersë do t’i nderohet. Kur të dojë është i mirëpritur të kthehet tek investimi i tij”.
Me sytë nga 11 maji, ku demokratët kërkojnë rikthimin në pushtet pas 12 vitesh në opozitë, Berisha tregoi dhe filozofinë e programit që po hartohet në selinë blu, ku siç tha, në qendër do të jetë qytetari.
“Ne kemi shpallur një pjesë të programit, dhe ky program është transformues. Kjo që ne kemi shpallur, bazohet thjeshtë në një parim; përparësi njeriu, përparësi qytetari dhe investime tek qytetari, tek burimet njerëzore. Ky është thelbi i programit tonë”.
Lideri i opozitës pohoi se plaga më e madhe e Shqipërisë sot është zbrazja e vendit dhe shtoi se ilaçi për këtë është programi i PD.
“Bazuar në këtë program buxheti prej 8 miliardësh ne do ta ndajmë gjysmë për gjysmë. Gjysmën qytetarëve, pjesën tjetër punëve, ndërtimeve publike. Sepse përndryshe Shqipëria do të zbrazet e zbrazet”.
Edhe nga Gjirokastra, Berisha përsëriti premtimin për vendosjen e minimumit jetik dhe rimbursimit të TVSH-së për shtresat në nevojë.