Në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua këtë të enjte takimi i Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, me drejtuesit e Institucioneve të Pavarura.
Mësohet se pjesë e takimit ishin ambasadori britanik në Tiranë, Nick Abbot, ambasadori holandez, Reinout Vos, si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Gjatë fjalës së saj, kreparlamentarja tha se pandëshkueshmëria është e pakthyeshme, ndërsa ashtoi se ka ardhur koha për më shumë drejtësi për qytetarët. Ndër të tjera, Spiropali bëri thirrje që bashkë me institucionet e pavarura të rritet transparenca.
"Si gjithçka që ka traditë dhe historik të së shkuarës, edhe ky takim i përbashkët me të gjithë drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, ka një shans të çmuar të krijojë dobi në të ardhmen.
Të çmuar konsideroj gjithashtu, praninë e partnerëve e miqve ndërkombëtarë, që bashkëpunojnë me ne në Kuvend për projekte dhe procese të rëndësishme.
Ndihmesa e tyre ka qenë gjithmonë e lutur dhe e mirëpritur, dhe në këtë moment, ata janë edhe pjesë e diskutimeve për një mision të përbashkët: mbrojtjen e interesit publik dhe garantimit e respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut, promovimin e demokracisë, sigurimit të mirëqenies sociale për qytetarët, thellimin e luftës ndaj korrupsionit
dhe sundimin e ligjit.
Kjo frymë dhe filozofi e të ardhmes, e urdhëruar nga ligji i epërm i shtetit shqiptar, Kushtetuta, dhe bazë e filozofisë sonë politike është dhe orientimi ynë bazik që udhëheq të përditshmen tonë, në shndërrimin përfundimtar dhe të pakthyeshëm të kësaj copëze të Ballkanit, në Evropën e gadishullit.
Kjo tryezë e përbashkët që rrjedh nga detyrimet e Kuvendit të Shqipërisë të miratuara në 2017 dhe 2018 ka në fokus rolin e mekanizmit për monitorimin sistematik të ndjekjes e zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, dhe Manualin e Raportimit Vjetor dhe Periodik.
Një proces në të cilin, kontributi i institucioneve të pavarura, është thelbësor për realizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit të Shqipërisë nda ekzekutivit dhe institucioeve të tjera.
Institucionet e pavarura që ju drejtoni janë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishme në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe si të tilla, rekomandimet e ardhura nga ju, janë pika referimi për rolin monitorues të Kuvendit.
Bashkëpunimin reciprok dhe asimetrik me ju e kam konsideruar si një nga prioritetet më themelore të punës time si Kryetare e Kuvendit, që ditën e zgjedhjes në këtë detyrë dhe po kështu, edhe në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Baza e krijuar nga tradita është e mirë, ndaj më lejoni të besoj se ekziston një vullnet i fortë politik, më i gjerë se baza politike e një shumice, që bashkëpunimi ynë të ngrihet në një nivel cilësisht më të lartë.
Të nderuar drejtues
Kam ndjekur për çdo vit me shumë vëmendje raportimet tuaja në komisione e seancat plenare dhe kam vlerësuar e vlërësoj seriozitetin, korrektesën dhe përgjegjshmërinë e parashtrimit të arritjeve, mosrealizimve, sfidave dhe vështirësive që përballoni.
Dinamika e zhvillimeve dhe e detyrimeve të proceseve integruese krijon ngutin dhe nevojën për një sinergji më të shpeshtë ndërveprimi Kuvend-institucione të pavarura, përtej raportimit periodik vjetor.
Procesi screening ishte një ushtrim i mirë që evidentoi këtë domosdoshmëri për të parë me vëmendje të shtuar, si rekomandimet, ashtu edhe detyrat që miratohen përmes rezolutave.
Kuvendi ka një rol udhëheqës në procesin e anëtarësimit në BE, si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit.
Por legjitimiteti dhe gjithëpërfshirja janë të lidhura me kontributin dhe bashkëpunimin tuaj me Kuvendin.", u shpreh Spiropali.