Politikë

Skandali te Onkologjiku, Zogaj: Skemë kriminale, nuk mund të mbyllet vetëm me përgjegjësi individuale

Shkruar nga Liberale

Skandali te Onkologjiku, Zogaj: Skemë kriminale, nuk mund të mbyllet

Preç Zogaj ka analizuar edhe situatën më të fundit në radhët e opozitës, nëse Berisha do ta humbë apo jo mandatin e deputetit

Presidenti i Institutit Liberal “Pashko” dhe njëkohësisht shkrimtari dhe analisti i mirënjohur Preç Zogaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24, duke komentuar skandalin te Onkologjiku në QSUNT tha se hetimi do të zbardhë të gjithë përmasat e skandalit dhe implikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë skemë.

Zogaj shtoi se kjo ngjarje është një ofendim edhe për të gjithë sistemin shëndetësor, për të gjithë ata mjekë që janë në shërbim të qytetarëve. - “Por edhe sistemi shëndetësor, duke mos qenë një ishull i izoluar, nuk është jashtë korrupsionit kapilar. Nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë këtë skemë në sistemin shëndetësor, por është i ngjashëm me atë skemën ‘5D’, është një krim me bashkëpunim. Besoj se drejtësia do t’i shkojë deri në fund skandalit, do zbardhë të gjithë personat e implikuar”.

“Përgjegjësia penale është individuale, por përtej saj, ka edhe një përgjegjësi tjetër, që lidhet me administrimin, që lidhet me mirëfunksionimin e institucioneve, që lidhet me përgjegjësinë politike. Po teprohet shumë duke thënë që është përgjegjësi personale. Kjo përfshin edhe drejtuesit, pasi, si mund të ndodhin këto pa përgjegjësinë e drejtuesve, me çfarë merren këto drejtues”, tha Zogaj.

Teksa ka komentuar edhe zhvillimet e fundit, në radhët e opozitës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën dhe logon grupimit të drejtuar nga Sali Berisha, Zogaj tha se sistemi politik në Shqipëri tashmë është i bllokuar nga PS e drejtuar nga Edi Rama dhe PD e Sali Berishës.

Zogaj tha se këto dy parti janë shumë të fuqishme në elektorat dhe në këtë kuadër kanë bllokuar pothuajse plotësisht daljen e partive të reja, alternativave të reja. Ai u shpreh se çdo ndarje dëmton partitë politike, duke shtuar se çdokush që tenton të krijojë parti të reja, duhet të shohë dhe analizojë se sa i favorizon sistemi politik.

“Nuk mjafton vetëm të deklarohesh se dikush është euroatlantik, por edhe duhet të pranohesh si i tillë”, - tha Zogaj. Lidhur me mandatin e deputetit për Sali Berishën për të cilën Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit, tha se nuk mund të ketë ndërprerje, Zogaj e konsideroi si të drejtë interpretimin e bërë nga Kryeparlamentarja.

“Sali Berisha nuk mungon në Kuvend pa arsye dhe mendoj se arsyeja është në themel të ligjit. Nuk mund të themi se Sali Berisha mungon pa arsye, ai nuk shkon sepse nuk lejohet të shkojë”, u shpeh në analizën e tij Preç Zogaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH