Politikë

“Shqiptarët nuk duan reforma dhe as reformatorë” – Ja si e përshkruante Faik Konica në janar 1925 rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet

Shkruar nga Liberale

“Shqiptarët nuk duan reforma dhe as reformatorë” –

Më 8 janar 1925 – Kryetari i Vatrës, Faik Konica, duke shkruar në gazetën Dielli shpreh qëndrimin e tij rreth qeverisë së re të Ahmet Zogut.

Është një ndër artikujt  e parë të Faik Konicës pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, i cili erdhi në pushtet përmes Revolucionit të Qershorit, 1924. Noli dhe bashkëpunëtorët e tij u larguan në dhjetor nga pushteti, ndërsa Zogu dhe mbështetësit e tij u rikthyen në pushtet nga Beogradi. Edhe sot e kësaj dite ky moment historik ngjall diskutime.  

“Çfarë duhet të bëjmë? Ne mund të bëjmë njërën prej të dyjave; të ruajmë paqen që kemi; ose të mbështesim qeverinë e re, jo për programin e saj, por për të vendosur rendin dhe qetësinë. Ata që thonë se Zogu është tradhtar, duhet të shohin për rreth dhe do të zbulojnë se shumica e shqiptarëve mund të jenë cilësuar tradhtarë në një kohë a një tjetër. Unë paraqes këto teza: një njeri që ka mbështetjen e shumicës së popullit ka të drejtë t’a qeverisë atë popull. Shqiptarët nuk duan reforma dhe as reformatorë, ata nuk duan gjëra të reja dhe as njerëz që përpiqen t’i sjellin ato.”

Duhet theksuar se qëndrimi i Faik Konicës që legjitimoi deri diku rikthimin e Zogut në pushtet krijoi pakënaqësi te Fan Noli. Nga miq ata mbajtën mëri për një kohë të gjatë dhe kritikuan njëri-tjetrin në shkrimet e kohës.

Konica sakaq, me kalimin e viteve nuk shprehu të njëjtin entuziazëm për qeverisjen e Zogut. Nga ana tjetër Noli me kalimin e viteve zbuti kritikat dhe hoqi përfundimisht dorë nga politika.

Megjithatë 100 vjet pas ngjarjes historike të Revolucionit të Qershorit, në oborret akademike dhe patriotike Noli dhe Konica konsiderohen ndër dy mendjet më të ndritura të kombit shqiptar, për shekullin që lamë pas.    

/Liberale.al/ 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH