Politikë

SHIFRA E DITËS: 76 për qind e publikut mbështet SPAK, sa përkrahje do të marrë opozita që e sulmon atë?  

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 76 për qind e publikut mbështet SPAK, sa

Aranit Muraçi

Një sondazh i fundit i opinionit publik në Shqipëri i publikuar nga Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) zbuloi mbështetje të fortë të qytetarëve shqiptarë, për luftën kundër korrupsionit, një dëshirë për qeverisje demokratike dhe shqetësime mbi ekonominë.

Sondazhi i fundit zbuloi se 76% e shqiptarëve i besojnë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), një organ i pavarur gjyqësor, misioni i të cilit është të luftojë korrupsionin. Pesëdhjetë e një për qind e shqiptarëve thonë se kanë më pak gjasa të mbështesin një kandidat apo parti në zgjedhje, nëse kërkojnë të kufizojnë punën e SPAK.

Rezultatet e sondazhit pak muaj para zgjedhjeve ishin të qarta. Sondazhi edhe pse bie ndesh hapur me retorikën e disa partive, kryesisht opozitare, nuk është kontestuar prej tyre. Më shumë se një javë pas bërjes publike të sondazhit, asnjë nga partitë që konteston organet e reja të drejtësisë nuk ka folur për vërtetësinë e sondazhit.  Që do të thotë se një i tillë është pranuar si i vërtetë.  E thënë ndryshe, partitë që kontestojnë SPAK e kanë të qartë që shumica e publikut është kundër retorikës dhe qasjes së tyre. Publiku sakaq nuk mund të jetë aq naiv sa të mbështesë SPAK, edhe nga ana tjetër të shkojë në votime dhe të votojë për partinë që janë kundër SPAK.

Sa domethënës do të jetë sondazhi para zgjedhjeve? A do të ndryshojë mendim publiku apo do të ndryshojnë qasje partitë që kontestojnë SPAK, për të ndërtuar një marrëdhënie të re, që raporti të përmbyset dhe pas kësaj të shpresohet se një parti opozitare mund të të vijë në pushtet? Ndërkohë, duhet marrë në konsideratë fakti që brenda opozitës ka parti që e mbështesin SPAK, edhe më fuqishëm se maxhoranca.     

SHIFRA E DITËS: 76 për qind e publikut mbështet SPAK, sa

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 80% besojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes. “Me zgjedhjet parlamentare që vijnë më 11 maj , është një shenjë pozitive që një shumicë dërrmuese e shqiptarëve duan të shohin vazhdimin e luftës kundër korrupsionit,” tha Paul McCarthy, Drejtor i Evropës për IRI. “Përpjekjet kundër korrupsionit do të rrisin transparencën dhe llogaridhënien midis zyrtarëve të zgjedhur dhe do të forcojnë besimin tashmë të fortë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.”

Gjithashtu, sondazhi zbuloi se ekonomia mbetet shqetësimi më i madh. Konkretisht, kostoja e lartë e jetesës është prioriteti kryesor për 80% të qytetarëve; prioriteti i dytë më i lartë është papunësia (45%).

"Sondazhi ynë tregon qartë se votuesit do të kërkojnë kandidatë në pranverë të cilët mund të ofrojnë mënyra për të ulur kostot, për të krijuar mundësi të reja pune dhe për të rritur standardin e jetesës," tha McCarthy.

Sondazhi nxori në pah se publiku mbështet më pak partitë dhe institucionet që janë në varësi politike dhe është më i prirur t’iu besojë institucioneve të pavarura.  

Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 11 maj, ku Partia Socialiste në pushtet pretendon mandatin e katërt radhazi, duke përfituar edhe nga gjendja ku ndodhet opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila veç të tjerave ka përdorur edhe një retorikë të hapur kundër dhe të ashpër ndaj organeve të reja të drejtësisë.  Kjo retorikë, - vërejnë shumë analistë dhe ekspertë - i jep një tjetër avantazh maxhorancës, pavarësisht problemeve me qeverisjen, për të ruajtur pozitat qeverisëse.

Veç kësaj opozita ndodhet edhe më e përçarë se katër vjet më parë. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2021, ish-kryeministri Sali Berisha, aktualisht drejtues i Partisë Demokratike është ai që po e çon opozitën në zgjedhjet e 11 majit, me pretendimin se do të rikthehet në pushtet, pavarësisht se u sanksionua nga Departamenti Amerikan i Shtetit i akuzuar për “përfshirje në korrupsion domethënës”. Kriza filloi kur Berisha nuk pranoi përjashtimin nga grupi parlamentar i partisë, që mori në atë kohë kreu i partisë, Lulzim Basha. Opozita e udhëhequr nga Berisha shpreson që DASH të heqë sanksionimet ndaj kryetarit të saj para zgjedhjeve të majit, ndërsa Basha dhe të tjerë të cilët janë shkëputur nga ish-lideri historik i së djathtës dhe retorika e tij, do të futen në zgjedhje si përkrahës të fortë të institucioneve të reja të drejtësisë. Është disi paradoksal rezultati i sondazhit: publiku mbështet gjerësisht SPAK por a do ti votojë partitë opozitare që e përkrahin atë?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH