Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ndodhet në burgun e Fierit, ku do të vuajë dënimin 1-vjeçar të vendosur nga Gjykata e Apelit një ditë më parë për kallëzim të rremë.
Në rrjetet sociale të Salianjit pasi shkoi në burgun e Fierit është postuar një video me mbishkrimin: "Nuk ka diktaturë që nuk mposhtet. Kjo është vetëm medalje në karrierën time politike."
Salianji u shpall fajtor për “Kallëzim të rremë” për dosjen Babale ku përmes një audio-përgjimi akuzoi vëllain e ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, Geron Xhafajn si trafikant droge. Ai u prit para ambienteve të burgut të Fierit nga deputeti tjetër i PD, Luan Baçi.
Në një prononcim për mediat Baçi tha se meqënëse Salianji do ta vuajë dënimin në Fier do të ketë në dispozicion të gjithë strukturat.
“Në burgun e Fierit vjen një kolegu im, i dënuar politikisht. Do të jemi pranë tij dhe në krah të tij. Strukturat e Fierit do të jenë në dispozicion të tij. është detyrimi ynë meqënëse institucioni i dënimit të Salianjit është në Fier. Kushdo nga ne mund të ishte në vend të Salianjit. Ai përveçse bëri një denoncim të saktë, të kthjellët që u vërtetua katërcipërisht, pasi ai denoncoi vëllain e zoti Xhafaj, i cili iku në Itali të vuajë dënimin. Është dënim politik, patjetër që unë do të jem këtu në mbështetje të zotit Salianji”, tha Baçi.