Politikë

Sali Berisha lirohet nga arresti i shtëpisë pas 11 muajsh izolim

Shkruar nga Liberale

Sali Berisha lirohet nga arresti i shtëpisë pas 11 muajsh izolim

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha të mërkurën është liruar nga arresti i shtëpisë, ku ndodhej nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”, pas 11 muajsh izolim.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Fjorera Davidhi, e cila ka sjellë revokimin e masës së sigurisë ndaj Berishës.

SPAK ka kërkuar vazhdimin e masës së sigurisë, ndërsa gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) ka vlerësuar se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e Berishës në masën e "arrestit në shtëpi".

Sali Berisha lirohet nga arresti i shtëpisë pas 11 muajsh izolim

Pas vendimit, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj ka dalë në një prononcim për mediat ku ka bërë të ditur se nga sot, kryedemokrati është i lirë.

"Mbi bazën e kërkesës sonë, sot gjykata revokoi masën e 'arrestit të shtëpisë' si një masë që nuk ka as kushte as kritere për caktimin e saj. Nga sot, Zoti Berisha është i lirë. Kërkesa ishte vetëm për zotin Berisha. Nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi. Tani unë j’ua thashë. Unë nuk mund të relatoj dosjen, por po ju them që gjykata konstatoi që për zotin Berisha nuk qëndrojnë më kushtet dhe kriteret për caktimin e asnjë lloj mase sigurimi, mos harroni që jemi në kërkimin paraprak. Prokuroria kërkoi që të mbetej në arrest shtëpie sigurisht".

Gjokutaj ka thënë se Prokuroria ka kërkuar që Berisha të mbetej në arrest shtëpie, ndërsa për SPAK-un ka thënë se duhet të ulë kokën dhe të shikojë se çfarë ka bërë.

"Prokuroria kërkoi që të mbetej në arrest shtëpie sigurisht. Kjo ishte kërkesa jonë e depozituar një ditë para seancës paraprake. Këto kërkesa shqyrtohen brenda 5 ditëve dhe gjyqtarja brenda këtij afati caktoi seancë. Kjo kërkesë është bërë këtu pas vendimit të Kushtetueses. Ligji nuk zbatohet me analogji. Sigurisht ne nuk u besojmë gjykatave, pasi ne kemi një vit e ca luftë me Irena Gjokën dhe shumë gjyqtarë të tjerë këtu".

Sipas Gjokutajt, "qëndrimi i Strasburgut është determinant dhe ka një rol parësor në këtë punë. Unë nuk mund t’i futem ndërgjegjes së brendshme. Procesi është kryekëput politik. SPAK le të bëjë çfarë të dojë, por duhet të ulë kohën dhe të shikojë se çfarë ka bërë, sepse i ka hipur një kali për së prapthi", shtoi avokati i ish-kryeministrit.

Sali Berisha ndodhej në arrest shtëpie për dosjen “Partizani” që nga data 30 dhjetor 2023. Vendimi për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Berishës erdhi pas kërkesës së SPAK, pasi sipas organit të akuzës, kryedemokrati nuk zbatoi urdhrin e mëparshëm të gjykatës për t’u paraqitur para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

Ish-kryeministri Berisha akuzohet si i dyshuar për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Nën hetim për këtë dosje është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në masë sigurie “arrest shtëpie”.

Berisha përmes avokatëve të tij bëri disa ankimime në gjykata, pasi nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga SPAK ndaj tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH