BRITANI E MADHE- Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka dhënë një intervistë për BBC ku ka folur edhe për rezultatet e marrëveshjes së firmosur me kryeministrin shqiptar Edi Rama në dhjetor të vitit 2022 sa i takon kthimit në Shqipëri të shqiptarëve që kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai tha se marrëveshja deri më tani kishte funksionuar, duke sjellë ulje të numrit të emigrantëve shqiptarë që tentojnë të kalojnë kanalin “La Mansh” me gomone për të kërkuar azil në Britani të Madhe.
“Si kryeministër, unë i dhashë përparësi vendosjes dhe funksionimit të marrëveshjes me Shqipërinë. Dhe për shkak se kjo marrëveshje po funksionon, besoj se edhe skema me Ruandën do të funksionojë”- u shpreh Sunak mes të tjerash.
Më herët, zyra e qeverisë britanike ka bërë me dije se mbërritjet e gomoneve me shqiptarë, janë ulur me 90% gjatë vitit 2023. Shifrat u publikuan gjatë takimit mes ministrit të Brendshëm shqiptar, Taulant Balla me homologun britanik, James Cleverly të cilët u angazhuan të bashkëpunojnë më ngushtë kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.