Politikë

REFORMA ZGJEDHORE/ Alibeaj: Foltorja çon ujë në mullirin e Edi Ramës

Shkruar nga Liberale
REFORMA ZGJEDHORE/ Alibeaj: Foltorja çon ujë në mullirin e Edi

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se mazhoranca është e prirur të bëjë ndryshime ligjore për ligjin elektoral, vetëm në interes të saj.

Ai tha gjithashtu se pjesa tjetër e opozitës, duke nënkuptuar “Rithemelimin” e udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, me veprimet e tyre i shërbejnë mazhorancës dhe kryeministrit Rama.

Komentet Alibeaj i bëri në Euronews Albania, ku tha se ai përfaqëson vetëm PD në Komision, por shtoi se është pro përfaqësimit edhe të rrymave të tjera opozitare.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore është i prirur mesa duket që të bëjë ndryshime ligjore vetëm në interes të mazhorancës, dhe jo si një marrëveshje politike konsensuale më të gjithë spektrin politik.

"Edhe një pjesë e opozitës, e përfaqësuar plotësisht në Komision, me veprimet e veta i çon ujim mullirit të Edi Ramës. Unë e kam thënë gjithmonë, unë përfaqësoj vetëm një pjesë të opozitës, përfaqësoj PD. Do të ishte gabim të merrja përsipër edhe interesat e partive të tjera opozitare."

Më herët ka qenë kërkesa jonë, pra e PD, që në Komision të përfaqësoheshin edhe partitë e tjera opozitare, Partia e Lirisë, PR, PDIU, etj, sepse duhet të përfaqësohen të gjitha flukset opozitare”, tha Alibeaj.
Ai tha se kryeministri Edi Rama po qeveris me 48 % të votave, pra pa e kaluar gjysmën e votave, që sipas tij me një sistem tjetër, ai nuk do të ishte kryeministër.

“Sistemi i listave të hapura është një sistem që për momentin është më i duhuri dhe më në përputhje me atë ç’ka kushtetuta parashikon.

Kjo historia e listave të hapura që ka nisur që në 2020, e cila nuk u arrit me reformën e prishur nga ana e mazhorancës dhe ne shpresojmë ta shikojmë me lista të hapura, që njerëzit të kenë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesin e tyre.

Së dyti Shqipëria një zonë elektorale dhe jo e parcelizuar, sepse ky parcelizim shkon në favor të mazhorancës. Të paktën 5-6 mandate janë marrë në mënyrë parazitare, janë rrëmbyer nga ana e mazhorancës. Sepse Rama ka marrë më pak se 48 % të votave, pra më pak se gjysmën e mandateve dhe po qeveris”, tha Alibeaj.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH