Politikë

Rama: Nuk duam sherr me Greqinë, ja kur do të mbahen zgjedhjet në Himarë

Shkruar nga Liberale

Rama: Nuk duam sherr me Greqinë, ja kur do të mbahen zgjedhjet në

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot në një intervistë televizive se “Greqia është një partner strategjik i Shqipërisë”, ndërsa theksoi se rastin “Beleri” do e adresojë deri në fund vetëm drejtësia.

I pyetur mbi qëndrimin e Greqisë në procesin e integrimit europian, Rama u shpreh se “ne nuk duam konflikte, nuk duam sherr, nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon, por duam të kemi sa më shumë kushte për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin”.

“Është një moment, është një moment që do kalojë. Shqipëria është sot një vend, me një profil, besoj unë të qartë që duhet ta konsolidojmë në vazhdim. Ne duam miqësi me të gjithë miqtë, ne duam absolutisht jo vetëm miqësi por duam partneritet strategjik me Greqinë me Italinë, me Turqinë. Ne nuk duam konflikte, ne nuk duam sherr, ne nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon, ne duam të kemi sa më shumë kushte për të promovuar paqen bashkëpunimin etj etj. Një gjë nuk e pranojmë dot dhe nuk do ta pranojmë që të trajtohemi pa respekt. Për sa kohë trajtohemi me respekt, për sa kohë trajtohemi me të njëjtin respekt që japim ne jemi në rregull”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se në rastin e Greqisë ne e kemi bërë shumë të qartë, që në krye të herës se “Greqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë”.

“Me Greqinë na lidh historia, na lidh fqinjësia, na lidh e ardhmja. Unë e kam thënë hera herës diçka që në fakt nuk ka nevojë as të përsëritet dhe që të gjithë do ta kenë parasysh, fqinjin nuk e zgjedh, fqinjin e ke. Nëse fqinjësia ushqen sekëlldi dhe ushqen mërzi nuk është e mirë. Greqia ka marrë një pozicion të caktuar në këtë periudhë kohe, ne nuk kemi reaguar përveç se kemi nënvizuar faktin që ne nuk lëvizim, nuk lëvizim nga pozicioni ynë për arsyen e thjeshtë se ne këtë pozicion nuk e kemi marrë në raport me Greqinë, nuk e kemi marrë në raport me një individ, ne këtë pozicion e kemi marrë në raport me veten dhe me të ardhmen që është pozicioni që Shqipëria duhet të ketë një drejtësi të pavarur. Dhe nëse ne nuk lëvizim nga ky pozicion për shumë raste që lidhen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare ne nuk kemi pse të lëvizim për një qytetar të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke, apo me kombësi franceze është e njëjta gjë”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se “problemi në vetvete, që lidhet me një emër të veçantë është një problem i drejtësisë dhe atë problem do e adresojë deri në fund vetëm drejtësia”.

“Në këtë pikë, pozicioni ynë nuk ndryshon dhe në këtë pikë nuk ka asgjë, asgjë, asnjë lloj qasje politike, asnjë lloj presioni. Ne jemi aty ku kemi qenë që në sekondën e parë, dhe na vjen keq shumë që nga ana e fqinjëve dhe e miqve tanë grekë kjo nuk është kuptuar si duhet, apo nuk është vlerësuar sa duhet. Është menduar që me presion mund të lëvizim nga ky pozicion sepse kjo nuk ka për të ndodhur. Ndërkohë ne marrëdhëniet dhe komunikimet i kemi të vazhdueshme dhe as bëhet fjalë që të djegim organin për një plesht, nuk bëhet fjalë”, theksoi ai.

Rama tha se “kemi vetëm pozitivitet dhe vetëm dëshirë pozitive që marrëdhëniet me Greqinë të ngjiten nivelin më të lartë të mundshëm të partneritetit, të miqësisë, të fqinjësisë e kështu me radhë”.

Duke folur për bashkinë e Himarës, Rama tha se “zgjedhja e kryetares së Bashkisë në detyrë me një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak, flet për një realitet të ndryshëm nga realiteti i perceptuar gabimisht nga miqtë tanë”.

“Aty ka një komunitet që kërkon qetësi, kërkon paqe, kërkon zhvillim dhe është tërësisht i pa interesuar të hyjë në një konflikt dhe të bëhet palë në një konflikt sepse zgjedhjet janë një ditë, por jeta e atyre që jetojnë në Himarë është çdo ditë. Dhe konfliktet mund të hapen për një ditë, por mund të mos mbyllen gjithë jetën dhe pasojat nuk janë të atyre që i hapin dhe i ushqejnë, pasojat janë të atyre që jetojnë në pamundësi për të ikur nga hija e konfliktit. Dhe ajo zgjedhje aq maxhoritare tregon që e vërteta është që zgjedhjet e Himarës ato që u bënë rezultati ishte tejet i ngushtë 19 vota, ishte një rezultat i ndikuar jashtëzakonisht shumë nga ata që erdhën për të votuar atë ditë dhe që ikin prapë në të drejtën e tyre, absolutisht, por nuk ishte një arsye për të hyrë në këtë lloj konflikti”, shtoi ai.

Rama theksoi se zgjedhja e kryetares së bashkisë në detyrë, është një arsye e madhe për të kuptuar që Himara meriton të ketë të gjithë qetësinë e nevojshme dhe të zhvillohet pa asnjë lloj konflikt.

“Për më tepër Himara nuk meriton në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye që të bëhet pre e zjarreve që nxit, e zjarreve që ushqen duke hedhur benzinë një politikan që e udhëhiqte minoritetin dhe që sot është në parlament, jo më falë votave të marra si udhëheqës i minoritetit por falë strehimit politik në një parti ku lideri i partisë është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”, shtoi ai.

Kryeministri foli edhe për zgjedhjen e Vangjel Tavos si prefekt i qarkut Vlorë.

“Vangjel Tavon unë nuk e kam zgjedhur aty si një njeri që vjen nga një rrugëtim besnikërie apo qëndrimi të vazhdueshëm pranë meje ose në PS. Por e kam zgjedhur aty si një njeri që mendoj që ka një profil që duke ushtruar detyrën e prefektit të Vlorës patjetër që mund të ndihmojë nga afër edhe për të adresuar ato problematika, institucionale që lidhen edhe me bashkinë e Himarës edhe me bashki të tjera patjetër. Kështu që, nuk është se kam menduar diçka tjetër nga ajo që duket dhe është shumë e qartë”, tha Rama.

Për sa i përket zgjedhjeve në Himarë, Kryeministri theksoi se “zgjedhjet do të shpallen kur duhet të shpallen nga Presidenti i Republikës, në rast se gjykata e Apelit do të vendosë që zotëria që është bërë shkak për gjithë këtë furtunë të madhe në gotë është i fajshëm apo i pafajshëm”.

“Nëse është i pafajshëm ai do shkojë në detyrë, në rast se është i fajshëm patjetër që do ketë zgjedhje. Në zgjedhjet e ardhshme PS do të ketë kandidatin e vet, nuk diskutohet”, nënvizoi Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH