Kryeministri ynë Edi Rama ditën e sotme ndodhet për një vizitë zyrtare në Hungari.
Kreu i qeverisë shqiptare është pritur nga homologu i tij hungarez, Viktor Orban me të cilin do të ketë edhe një deklaratë të përbashkët.
Presidenca hungareze e Këshillit të BE-së, përmes një postimi në platformën X konfirmon se Konferenca e Dytë Ndërqeveritare e BE-së me Shqipërinë do të mbahte më 15 tetor. Hungaria ka theksuar edhe njëherë mbështetjen për vendin tonë në rrugën drejt integrimit.
“Viktor Orban sapo ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp përkrah kryeministrit shqiptar Edi Rama, se konferenca e dytë ndërqeveritare me Shqipërinë do të mbahet më 15 tetor, duke shënuar hapjen e klasterit të parë të negociatave. Përshpejtimi i pranimit të Ballkanit Perëndimor është një prioritet kyç i Presidencës hungareze. Ky moment historik tregon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për avancimin e integrimit të rajonit në BE, me konferenca të mëtejshme ndërqeveritare të parashikuara gjatë #HU24EU. Qëndrimi i përbashkët i BE-së pritet të miratohet më vonë sot në Coreper”, thuhet në njoftim.