Kryetari i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi tha sot se nuk ka një vendim politik sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës, mandati i të cilës pritet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.
Peleshi u shpreh se nuk diskutohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij çdo deputet do ta lexojë vendimin dhe do votojë, por theksoi se nuk ka vendimmarrje politike.
Mes të tjerash ai tha se do t’i drejtohen për një opinion Komisionit të Venecias, por jo për këtë rast, por për një mendim në parim për raste të tjera që mund të hasen.
“Ne nuk i diskutojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në grupin parlamentar ku merren vendimet politike. Kjo çështje nuk është në rendin e ditës, nuk është diskutuar asnjë fjalë me deputetët, nuk e trajtojmë si vendim politik.
Vendim i Gjykatës Kushtetuese është bërë i njohur për deputet, do lexohet nga çdo deputet. Grupi i PS nuk ka vendim politik për këtë. Ne do ti drejtohemi Komisionit të Venecias, por jo për këtë. Do ti kërkojmë një mendim në parim për cdo situatë tjetër që mund të hasim”, tha Niko Peleshi në përfundim të mbledhjes së Grupit të PS.